May 18, 2024
Maqedoni

Kuvendi miratoi Rezolutën ndaj Bullgarisë

Kuvendi me 95 vota “për”, një të përmbajtur ka miratuar Rezolutën për të ashtuquajturat vija të kuqe në bisedimet për zgjedhjen e kontestit me Bullgarinë, shkruan Alsat. Më herët Kuvendi miratoi amendamentin me të cilin në Rezolutën e propozuar nga VMRO-DMPNE-ja u fut emri kushtetues, respektivisht Republika e Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE-ja kundërshtoi votimin e këtij amendamenti.

Rezoluta kërkon që negociatat me BE-në të bëhen në mënyrë të paanshme dhe në baza parimore duke u respektuar e drejta ndërkombëtare, pa kushtëzime dhe me respektim të dinjitetit të popullit maqedonas, të respektohet autoktonia e popullit maqedonas dhe kontinuiteti historik, gjuhësor, kulturor dhe religjioz, eurointegrimi të varet nga angazhimi dhe përpjekja e Shkupit në zbatimin e kritereve, të respektohet e drejta e vetpërcaktimit dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, etj.

Sofja kishte bërë një hap të ngjashëm në gusht të vitit të kaluar për unifikimin e qëndrimit të brendshëm në lidhje me marrëdhëniet e saj me Shkupin. Një dokument i titulluar “Memorandum shpjegues mbi Marrëdhëniet e Republikës së Bullgarisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe procesin e asociimit dhe të stabilizimit” u dërgua nga Sofja në 26 kryeqytete të vendeve anëtare të BE-së. Aty shpjegohet qëndrimi bullgar për disa çështje historike duke potencuar se “Procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë ndërhyrjen etnike dhe gjuhësore të regjimeve të kaluara autoritare”.