“Ballkani i Hapur” në këmbë të qelqta? Osmani: A duhet Maqedonia ta rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj?
A po lëkundet iniciativa Ballkani i Hapur dhe a duhet Maqedonia e Veriut ta lëshojë këtë partneritet të lidhur mes Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ministri i jashtëm Bujar Osmani në Click Plus tha se shteti ynë duhet ta rishqyrtojë pjesëmarrjen në këtë iniciativë nëse dëshmohet se qeveria e Serbisë ka marrë pjesë në incidentet që ndodhën muajin e kaluar në Kosovë. Megjithatë Osmani shtoi se ky është mendimi i tij dhe se për këtë nuk është biseduar në nivel të Qeverisë.“Nëse dëshmohet se ka implikime të drejtpërdrejta, atëherë kjo shtyllë e rëndësishme mbi të cilën u themelua vendimi i BDI-së për ta përkrahur Ballkanin e Hapur, në një farë mënyre po lëkundet. Prej këtu po del edhe qëndrimi im dhe si nënkryetar i BDI-së, se tashmë po krijohet një situatë e re që është mesazh se duhet t’i sqarojmë zgjidhjet territoriale e jo ato etniket në rajon”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Po a mund të parashihet se është në pikëpyetje funksionimi i Ballkanit të Hapur pas ftohjes së marrëdhënieve mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe pas ashpërsimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës? Osmani këtë proces tani e vlerëson si iniciativë në përpjekje dhe se ky proces nuk ka përfunduar.“Ballkani i Hapur është më shumë iniciativë në përpjekje se sa iniciativë e kompletuar. A e dini se pse është në përpjekje? Së pari për shkak se nuk është gjithëpërfshirëse, janë vetëm tre, nuk janë gjashtë. Ballkani i Hapur i kompletuar do të ishte me gjashtë vende. Nuk është i kompletuar për shkak se nuk ka trup ekzekutiv që do t’i zbatonte vendimet politike”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Për funksionalitetin e Ballkanit të Hapur, Osmani vërejti se edhe kjo iniciativë nuk ka bazë të fondeve për t’i mbuluar projektet që po dalin nga bisedimet politike siç është rasti me Procesin e Berlinit.