Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka reaguar lidhur me rastin e dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve në Shkup, duke theksuar se çdo veprim policor duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Iseni ka nënvizuar se mbajtja e uniformës policore nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, pavarësisht dyshimeve ndaj personave që janë objekt i veprimeve policore.
“Çdo veprim policor duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, ka theksuar Iseni.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit. Sipas tij, çdo provë do të shqyrtohet me seriozitetin e duhur, ndërsa të gjithë personat që kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi.
Iseni ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, rasti nuk ka lidhje me motive etnike, duke bërë të ditur se patrulla policore e përfshirë kishte përbërje të përzier etnike.
Ai ka bërë thirrje që rasti të mos keqpërdoret për nxitjen e tensioneve ndëretnike, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të së vërtetës dhe të përgjegjësisë ligjore për çdo shkelje të konstatuar.

