Lista paraprake e kandidatëve për pranimin e kadetëve të rinj në Akademinë Ushtarake në Shkup përfshin 46 persona, por vetëm një prej tyre është shqiptar. Aleanca për Shqiptarët e sheh këtë shifër si tregues të përfaqësimit të pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionin që formon kuadrot e ardhshme të Forcave të Armatosura.
Partia ka drejtuar kritika edhe ndaj VLEN-it, i cili është pjesë e Qeverisë dhe përfaqësohet në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas ASH-së, kjo strukturë ka qëndruar e heshtur dhe nuk ka treguar angazhim për shtimin e pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në sektorin e mbrojtjes. “Të jesh në pushtet, të thirresh në përfaqësim të shqiptarëve dhe të mos jesh në gjendje të sigurosh përfaqësim elementar për bashkëqytetarët e tu shqiptarë nuk është pushtet, por është vetëm dekor”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
ASH-ja vlerëson se VLEN-i, duke qenë pjesë e pushtetit dhe duke pasur edhe postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, duhej të kishte ndërmarrë veprime konkrete për t’i nxitur, ndihmuar dhe mbështetur të rinjtë shqiptarë që të aplikonin në Akademinë Ushtarake. “Me qëllim të rritjes së numrit të shqiptarëve në mbrojtje, kjo listë preliminare është dëshmi e qartë se nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim dhe kjo padyshim se është dështimi i radhës i VLEN-it”, thekson ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake që të japin menjëherë sqarime, ndërsa përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri u kërkon të mbajnë përgjegjësi politike. “Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz në institucionet e shtetit”, përfundon reagimi.

