May 10, 2024
Maqedoni

ASH kërkon shkarkimin e ministrave Aliu dhe Mexhiti/ Reagon Taravari

Në seancë qeveritare u shkarkuan dy drejtorë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Nga ana tjetër Komisioni kadrovik i ASH-së vendosi t’i propozojë Kryeministrit shkarkimin edhe të dy ministrave që vijnë nga radhët e saj, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu dhe Ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Se çfarë do të bëjë kryeministri teknik, ende nuk dihet, sepse nuk kemi marrë përgjigje nga Qeveria për këtë çështje. Në njoftimin e ASH-së për vendimin për shkarkimin e dy ministrave shkruajnë se thonë se kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH dhe të punësuarve, si dhe koketimin e sotshëm publik me VMRO-DPMNE, duke i shkuar në zyrë ministrit të saj. Nga ana tjetër, për ministrat Mexhiti e Aliu, që janë në krah të Taravarit, ky vendim i dërguar në Qeveri nuk është legjitim.

“Së pari nuk mund të jetë legjitime. Sipas statutit tonë nuk mund të sillet një vendim i tillë për emërimin apo shkarkimin e ministrave. Momenti i dytë që dua t’u informojë për shkak se kishte pyetje nga gazetarët se a do të dorëhiqemi. Nuk do të japim dorëheqje. Nuk ka arsyetime për fat të keq. Artan Grubi është ai që vendosë. Artan Grubi vendosi për fat të keq me kolegë nga partia jonë që të shkarkohen, dhe me siguri do të vazhdojnë të shkarkojnë ato që munden. Ato që nuk do të munden, me siguri do të mundohen më tepër”, tha Azir Aliu, MSHIA.

Aliu thotë se edhe drejtorët tjerë nga radhët e ASHsë kanë marrë kërcënime për shkarkim nëse nuk kalojnë nga ana tjetër, pra nga ana e Selës. Aliu thotë se kjo bëhet nga BDI-ja në Aleancë.

“Dua vetëm që t’u informoj që sapo morën informata se ka shumë shtypje mbi drejtorët tanë duke iu thënë se deri nesër nëse nuk ktheheni nga ana jonë, do të jeni të shkarkuar siç u shkarkuan këto dy drejtorë sot.

-Nga ana e kujt?

-Nuk e di nga ana e kujt. Nga ana e BDI-së në Aleancë. Ka një përshtypje që janë bashkuar një pjesë për interesa personale me BDI-në, me qëllim që të bëjnë presion në këtë fazë ku me të vërtetë është fazë shumë kritike dhe e rëndësishme për proceset në shtet edhe për neve si parti”, theksoi Azir Aliu, MSHIA.

Kryetari i ASH-së Arben Taravar thotë se këto janë lojëra të BDI-së.

“Lojë e BDI-së me disa anëtarë tonë që janë afruar me BDI-në”, u përgjigj Taravari.

Ministri Mexhiti thotë se vulat partiake dhe shumica e votave të kuvendarëve, janë te Taravari.

“Faktikisht Aleanca për Shqiptarët është një dhe e vetme. ASH ka organet e saja dhe e ka një dhe të vetmin legjitim, kryetarin e partisë, Arben Taravari. Vulat e partisë normal se janë te kryetari i partisë dhe shumica e nënshkrimeve të kuvendarëve janë për Arben Taravarin”, tha Famir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Nëse KM teknik Xhaferi e përcjell në Kuvend kërkesën e ASH-së për shkarkimin e dy ministrave, ajo duhet të marrë 61 vota deputetësh për të kaluar.