Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, ka ofruar rreth 335 mijë euro si garanci për heqjen e masës së arrestit shtëpiak, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup, shkruan Portalb.mk.
“Mbrojtja ofroi pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Propozimi i mbrojtjes i është dërguar Prokurorisë Publike për mendim. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë nëse do ta pranojë garancinë.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se aktakuza për rastin e Lotarisë Shtetërore është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurë Penale, masa e arrestit shtëpiak për Grubin skadon më 13 tetor 2026, pas përfundimit të afatit ligjor prej 60 ditësh nga dorëzimi i aktakuzës.
“Masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

