Prokuroria ka nisur hetim ndaj një 33-vjeçari nga Shkupi, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur armë, municion, një granatë dore dhe marihuanë.
Sipas raportimit, gjatë bastisjes janë sekuestruar një granatë dore “M75”, 240 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pistoletë “Crvena Zastava” e kalibrit 7,65 milimetra me shtatë fishekë në karikator, si dhe një pistoletë “Beretta” me gjashtë fishekë në karikator. Gjithashtu, janë gjetur rreth shtatë gramë marihuanë.
Në banesë është zbuluar edhe një çelës motoçiklete. Sipas informacioneve operative, dyshohet se motoçikleta përkatëse është përdorur në kryerjen e një vrasjeje.
Hetimi ndaj të dyshuarit lidhet me mbajtjen dhe veprimtaritë e paautorizuara me armë apo lëndë shpërthyese, si dhe me veprën penale që përfshin prodhimin dhe qarkullimin e paautorizuar të substancave narkotike.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se ajo është e nevojshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale. / Aktuale.mk

