Policia në Prilep mbrëmjen e sotme ka arrestuar një prokuror nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir.

“Fokus” ka marrë konfirmim nga Ministria e Punëve të Brendshme se arrestimi lidhet me veprimet rreth kthimit të pasaportës së biznesmenit nga Manastiri, Borçe Markovski.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, aktualisht po kryhen kontrolle në shtëpinë dhe në ambientet zyrtare të Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale korruptive.

Konfirmim ka dhënë edhe Prokuroria Publike:

" "

> Një prokuror publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka siguruar urdhra gjyqësorë për kontrollin e shtëpisë dhe ambienteve zyrtare të një prokurori të lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir, për shkak të ekzistimit të bazave për dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, sipas nenit 359, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal. Kontrollet, në bazë të urdhrave të siguruar, po kryhen nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se më shumë detaje do të publikohen pasi të përfundojnë veprimet gjatë ditës së nesërme.

Si u kthye pasaporta e Markovskit?

Në qershor të këtij viti, një prokuror nga Prokuroria Themelore Publike në Strugë kishte dhënë mendim negativ lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Borçe Markovskit për t’i kthyer dokumentin e udhëtimit.

Pas një kërkese të re nga mbrojtja, lënda ishte dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir, prej nga ishte urdhëruar që të jepej mendim pozitiv për kthimin e pasaportës.

Më pas, Borçe Markovski e mori pasaportën dhe udhëtoi drejt Serbisë, me arsyetimin se duhej urgjentisht të nënshkruante dokumente që lidheshin me aktivitetin e kompanisë së tij.

Për kthimin e tij në vend ishte ofruar më herët një garanci prej rreth 5 milionë eurosh.

Markovskit dhe disa personave të tjerë po u zhvillohet gjykim për keqpërdorime të lidhura me një prokurim publik në REK “Manastir”, me vlerë mbi 1.7 milionë euro.

sqShqip