May 21, 2024
Maqedoni

Arjanit Hoxha jep dorëheqje nga pozita e ministrit, dorëhiqen edhe zëvendësministrat

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa dhe ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha në konferencë për shtyp tha se jep dorëheqje nga posti i ministrit.

“Për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale, nga një pjesë e këtij pushteti me në krye zëvendëskryeministrin e BDI-së, u cenua e demokracia në vend me metoda manipuluese që vazhdoi edhe gjatë ditës së djeshme që ishte dita më e turpshme për demokracinë e vendi, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit bashkërisht me dy zëvendësministrat”, tha Hoxha.

Ai shtoi se Lëvizja Besa nuk mund të identifikojë veprimin e tyre politik me një partner koalicioni i cili përdor çdo veprim jodemokratik me qëllim që të qëndrojë në pushtet.

“Nëse në vitin 2016 u rrëzua një regjim ndërsa një pjesë tjetër e regjimit nuk u rrëzua, por iu dha mundësia të reformohet, sot pas 5 viteve u dëshmua se ata jo vetëm që nuk janë reformuar por kanë perfeksionuar metodat e tyre të një regjimi klasik”, tha Hoxha.