April 29, 2024
Shqipëri

Anulimi i mbledhjes së dy qeverive/ Reagon Berisha: Rama mori vendimin me urdhër të Vuçiçit

Në një akt antikombëtar prej argati të neveritshëm të serbomadhit Vuçiç, i ngërthyer nga skandali McGonigal, Edi Rama i nxirë sterrë me një protagonizëm qesharak idiotesk, njoftoi anulimin e takimit të njoftuar prej kohësh midis dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës si fillimi i sanksioneve ndaj kësaj qeverie.

Ky vendim për anulimin e mbledhjes si hakmarrje për hedhjen poshtë nga qeveria dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të marrë në sirtaret e Beogradit, dëshmon së çfarë është i gatshëm të bëjë ky njeri për serbomadhin Vuçiç, por dhe lëkurën e tij, pasi është në hetim penal për aferën McGonigal, korruptimin e ish shefit të kundërinteligjencës së New York-ut në kohën kur ai ishte në detyrë. Shtoj këtu se, javë më parë dosja shqiptare e McGonigal me personazhë kryesorë Ramën dhe bashkëpuntorët e tij u bashkua për shkak të lidhjeve me dosjen ruse.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr më qeverinë e Kosovës mbron interesa personale dhe se, që nga ardhja e tij në pushtet ai është protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës me Aleksandër Vuçiç.

Së fundi ju bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë çdo përpjekje për ç’tensionimin e situatës dhe rikthimin në agjendën e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e saj si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.