Në redaksinë tonë ka mbërritur një ankesë nga persona që thonë se janë aktivistë të Aleancës për Shqiptarët – Dega Gostivar, të cilët shprehin pakënaqësi pas zhvillimeve të fundit në degën lokale dhe zgjedhjes së kryetarit të ri.
Sipas pretendimeve të tyre, aktivistët që për vite me radhë kanë kontribuar për partinë po mbeten të anashkaluar, ndërsa kryetari i sapozgjedhur i degës, Isak Lazami, “nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së aktivistëve”.
Në reagimin e dërguar në redaksi, ata kërkojnë që Lazami të sqarojë publikisht pozicionin e tij politik, duke pyetur nëse ai rreshtohet me Ziadin Selën apo me Arben Taravarin.
Po sipas tyre, kuvendi i fundit i degës ka krijuar përçarje mes aktivistëve, duke i ndarë ata në “grupin e interesit” dhe “grupin e aktivistëve të sinqertë të Aleancës për Shqiptarët”.
Redaksia jonë e publikon këtë reagim në funksion të informimit të publikut dhe mbetet e hapur për publikimin e qëndrimit të Degës së Gostivarit ose të Isak Lazamit lidhur me këto pretendime.

