April 28, 2024
Maqedoni

Ambasadorja amerikan Ageler me porosi të fuqishme për të goditur korrupsionin në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja e re amerikane, Angela Ageler në daljen e saj të parë publike pas dorëzimit të letrave kredenciale, ka folur për korrupsionin në vend dhe parandalimin e tij.

Ajo mbrëmë në shënimin e 20 vjetorit të Komisionit Shtetëror Antikorrupsion tha se luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut do ta bëjë prioritet numër një të ambasadës amerikane, por edhe se luftën duhet ta udhëheqin qytetarët e këtij vendi dhe SHBA-të do të jenë aty për t’i mbështetur

Ajo shtoi se të rinjtë këtu kanë nevojë dhe meritojnë një vend ku suksesi bazohet në talentin dhe punën e palodhur, jo në politikë ose në atë që ju njihni, përcjell INA.

“Korrupsioni në çdo formë – nepotizmi, ndikimi i panevojshëm politik, favorizimi në punësim apo nënshkrimi i kontratave, etj, po e pengon këtë vend nga suksesi ekonomik, social, arsimor dhe strukturor që e dimë se mund dhe duhet të vazhdojë të arrijë”, deklaroi ambasadorja amerikane.

Sipas saj, Maqedonia e Veriut është partner strategjik dhe aleate e SHBA-ve si anëtar më i ri i NATO-s. “Si çdo miqësi, edhe kjo është shumështresore. Miqësia nuk është vetëm të pajtoheni dhe të thoni gjëra që shoku juaj dëshiron të dëgjojë. Miqësia do të thotë këshilla, do të thotë udhëzim dhe do të thotë ndershmëri, kur është e nevojshme”, theksoi diplomatja amerikane.

Ajo u dërgoi mesazhe politikanëve, opinionit dhe zyrtarëve ë të gjithë të angazhohen dhe të kërkojnë përgjegjësi.

“Kemi parë iniciativat e Komisionit Antikorrupsion për hapjen e procedimeve penale ndaj zyrtarëve publikë për vepra korruptive. Dëgjojmë se çfarë ndodh në prapaskenë me manipulimet e emërimeve në postet kyçe. Lexojmë për tenderë fitimprurës që përfundojnë me kompani me lidhje politike apo personale. Pra, le të angazhohemi tani – publiku, politikanët, zyrtarët e qeverisë – për të zhbërë korrupsionin dhe për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Mosndëshkimi duhet të marrë fund”, tha Ageler.

Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut është një histori suksesi, por ajo që pengon përparimin është ende korrupsioni.

“Edhe sot korrupsioni pengon përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe kërcënon vlerën e saj më të madhe natyrore – rininë. Një sondazh i fundit tregoi se korrupsioni është arsyeja kryesore që të rinjtë duan të largohen nga Maqedonia e Veriut – një mesazh që e kam dëgjuar gjithashtu në bisedat që kam pasur që kur u ktheva këtu nëntë ditë më parë. “Të rinjtë këtu kanë nevojë dhe meritojnë një vend ku suksesi bazohet në talentin dhe punën e palodhur, jo në politikë apo në atë që njihni”, tha ambasadorja Ageler.

Është lufta kundër korrupsionit, tha Ageler, ajo që do ta bëjë atë prioritetin numër një të Ambasadës Amerikane në Shkup, por edhe njerëzit këtu duhet të luftojnë.(INA)