April 29, 2024
Kosovë

Ambasada britanike për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq: Udhëheqësit e protestave ta parandalojnë dhunën

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar lidhur me sulmin ndaj ekipeve të mediave, që ka ndodhur këtë të premte në Leposaviq, nga protestues serbë të maskuar.

Në reagimin e ambasadës thuhet se dhuna ndaj gazetarëve është gjithmonë e papranueshme dhe e pajustifikuar.

“Iu bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, kanë thënë nga ambasada britanike.

Ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV janë sulmuar nga persona të maskuar në komunën e Leposaviqit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se kameramani Bardh Bekteshi ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

“Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup. Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”, thuhet në njoftimin e AGK-së.