May 23, 2024
Maqedoni

Aliti prezanton buxhetin: Digjitalizimi i administratës mbetet prioritet

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti nga partia Alternativa, prezantoi sot para opinionit buxhetin e ministrisë për vitin 2023. Aliti tha se buxheti prej 1.5 miliardë denarësh nuk është i mjaftueshëm për të gjitha projektet që synon ministria, por megjithatë do të mundësojë arritjen e rezultateve të rëndësishme.

Ndër prioritetet kryesore të Ministrisë edhe për vitin e ardhshëm mbetet digjitalizimi i plotë i administratës. Për hapat e radhës në procesin e digjitalizimit do të ndahen rreth 240 milionë denarë.

“Mbetemi të vendosur se procesi i digjitalizimit nuk duhet të ngecë, por se, i njëjti, edhe pse shumë i kushtueshëm në aspektin financiar, duhet të vazhdojë me ritme edhe më të shpejta. Dëshmia më e mirë se digjitalizimi e lehtëson jetën e qytetarëve janë shumë vende të cilat, me hapat e suksesshme në këtë aspekt, u kanë hapur shumë dyer dhe mundësi qytetarëve. Përmes digjitalizimit, tentojmë që të arrijmë një funksionim edhe më të mirë institucional, dhe poashtu, përmes e-shërbimeve t’u ofrojmë qytetarëve gjithnjë e më shumë shërbime, informacione deri te shërbimet dhe largim nga procedurat e zakonshme burokratike”, tha ministri Aliti.

Për ministrin nga AlternAtivA Admirim Aliti, prioritet i lartë mbetet edhe reformimi dhe riorganizimi i administratës. Megjithatë, këtë proces Aliti është zotuar ta bëjë pa shpenzuar para buxhetore, pasi përkrahet nga Bashkimi Evropian. Ministri tha se është i vendosur t’i çojë përpara reformat në administratë, pavarësisht “mendimeve të ndryshme” brenda qeverisë për riorganizimin.

I pyetur për balancuesin etnik gjatë punësimeve, ministri Aliti theksoi se do të mbetet në fuqi rekomandimi i tij që të merret parasysh popullata rezidente dhe jorezidente gjatë përcaktimit të balancuesit. Me balancuesin e përpiluar nga ministri i Alternativës, kërkohet nga institucionet e shtetit që të sigurojnë përfaqësimin e shqiptarëve me 31.54%, bazuar në shifrat nga regjistrimi i fundit i popullsisë.