Tetova ka përfituar një automjet të ri modern për higjienë komunale, në kuadër të projektit për pajisjen e 11 komunave të vendit me gjithsej 46 automjete të reja.
Automjetet u prezantuan sot, ndërsa investimi kap vlerën prej 4.2 milionë eurosh dhe është realizuar me mbështetjen e Bankës Botërore.
Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, bëri të ditur se automjeti i ri do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve lokale në pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
„Ky automjet do të ndihmojë direkt në forcimin e kapaciteteve tona lokale për pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike“, tha Qamili.
Ai theksoi se përmes këtij projekti mbështetja ndërkombëtare po shndërrohet në rezultate konkrete për qytetarët.
„Po e kthejmë mbështetjen ndërkombëtare në rezultate konkrete që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, me hapa të sigurt drejt një komune më funksionale“, u shpreh Qamili.

