Në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të QKUK-së janë kryer me sukses dy operacione shumë të ndërlikuara tek dy vajza, të cilat kanë lindur me mitër dhe vaginë të pazhvilluar.

Këto operacione i ka kryer Alban Neziri – shqiptari gjinekolog i cili punon në një spital në Zvicër. I njëjti, këto ndërhyrje tejet të ndërlikuara, i ka kryer falas në Kosovë.

“Më 22 shtator 2025, në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të QKUK-së, kemi realizuar për herë të parë në Kosovë dhe Ballkan, dy operacione shumë të ndërlikuara tek paciente me sindromën Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser. Bëhet fjalë për një gjendje të lindur ku vajzat nuk kanë të zhvilluara mitrën dhe vaginën, ndërsa karakteristikat tjera sekondare femërore janë normale. Me anë të metodës speciale kirurgjikale Ëharton-Sheares-George është krijuar një neovaginë (vaginë e re) dhe me laparoskopi është dokumentuar mungesa e mitrës dhe gjendja e rregullt të vezoreve. Kjo ndërhyrje hap mundësinë që pacientet tona të përgatiten në mënyrë adekuate për trajtime më të avancuara, përfshirë transplantin e mitrës në qendra të specializuara evropiane dhe u mundësoj atyre një cilësi më të mirë të jetës, sidomos në aspektin personal, psikologjik dhe social”, ka treguar kirurgu gjinekolog i cili këto patologji i trajton në baza ditore në Zvicër, njofton Klankosova.tv.

Neziri thotë se është i përkushtuar që të ofrojë shërbimin e tij si kirurg, që pacientet me këtë diagnozë, të cilat deri tani duhej të trajtoheshin jashtë vendit, të trajtohen në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në mënyrë që stafi i kësaj klinike të trajnohet që t’i bashkëngjitet 5 qendrave të mëdha evropiane në të cilat ofrohet ky trajtim.

" "

“Trajtimet janë pa pagesë për të gjitha pacientet. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar nga zemra drejtorin Dr. Zef Ndreaj, gjithë stafin profesional të Klinikën e Gjinekologjisë si dhe stafin profesional të anestezionit për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. Falënderoj edhe Prof. Violeta Zatriqin, drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, dhe Armend Ramadanin për mbështetjen e pakushtëzuar në sigurimin e materialeve të nevojshme për realizimin e operacioneve. Apeloj të kolegët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, të cilët diagnostikojnë vajza me sindromën MRKH që t’i referojnë ato në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në QKUK. Këto raste do të trajtohen nga unë dhe stafi profesional i KOGJ”, ka shkruar tutje kirurgu Neziri i cili do të vazhdojë falas me trajtimin e këtyre anomalive.

Gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka ka kuptuar se pacientet të cilat i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje, janë të moshës 16 dhe 18 vjeçare.

sqShqip