May 28, 2024
Maqedoni

Alarm për bombë edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në shkolla dhe në QTQ

Nga MPJ njoftojnë se kanë pranuar denoncime për bombë përmes një e-mail, përcjell TV21. Nga MPJ thonë se është njoftuar policia, pas çka është evakuuar edhe objekti.

“Ju informojmë se Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë informacion me e-mail se në objekt janë vendosur mjete shpërthyese. Ministria ka njoftuar menjëherë shërbimet përkatëse në MPB, sipas udhëzimeve të të cilave objekti është evakuuar menjëherë. Në përputhje me protokollet e sigurisë, sapo të krijohen kushtet e duhura, punonjësit do të kthehen në punë”, thonë nga MPJ.

Alarme për bomba të vendosura kanë mbërritur sot në mëngjes edhe në Qendrën Tregtare të Qytetit dhe në disa shkolla të mesme në Shkup.

Alarme për mjete të vendosura shpërthyese kanë ardhur edhe në QTQ, gjimnazet “Josip Broz Tito”, “Orce Nikollov” dhe “Nikolla Karev”.

Ekipe të MPB-së tashmë janë në teren dhe po ndërmarrin aktivitete për kontrollim të objekteve.