Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar në disa lokacione në Shkup, Çair, Tetovë dhe Gjevgjeli, në kuadër të një hetimi kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me barna, medikamente dhe suplemente, si dhe për vepra penale korruptive.

Sipas informacioneve fillestare dhe jozyrtare, deri tani janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa policia është në kërkim të disa të tjerëve. Mes të dyshuarve, sipas informacioneve, ka edhe persona të punësuar në Drejtorinë e Doganave.

Ekipet policore po kryejnë kontrolle në më shumë se dhjetë lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli.

Foto: MPB

" "

Në Shkup dhe Tetovë, gjatë kontrolleve në subjekte juridike, janë gjetur magazina me lloje të ndryshme të barnave mjekësore, ndërsa në njërin prej objekteve është gjetur edhe një makinë për ekstraktimin e vajit.

Në aksion po vepron Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas informacioneve të deritanishme, hetimi përfshin dyshime për kontrabandë, shkelje të të drejtave të pronësisë industriale, dhënie dhe marrje ryshfeti, si dhe pastrim parash.

Aksioni ende është në vazhdim, ndërsa priten më shumë informacione nga institucionet kompetente lidhur me numrin e personave të arrestuar, sendet e gjetura dhe kualifikimin juridiko-penal të veprave.

sqShqip