May 17, 2024
Kosovë

AAK kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për këtë parti, është shumë e rëndësishme të trajtohet sa më shpejt një debat parlamentar për trevjetorin e qeverisë Kurti.

Në këtë debat, ai tha se do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

“Ai veç është dorëzuar. Është parë edhe në një intervistë së fundmi”, tha Tahiri.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri tutje tha se gjithçka që i jep kuptim jetës, në këtë qeverisje është stagnuese

“Për ne si AAK është e rëndësishme të trajtohet sa më shpejt një debat parlamentar për trevjetorin e qeverisë. Çështja kryesore e ballafaqimit të Kuvendit me qeverinë është llogaridhënia për tre vjet keqqeverisje dhe mospunë. Kemi hyrë në vitin e katër, në një vit zgjedhor apo përgatitje zgjedhore, dhe Kosova është duke stagnuar. Gjithçka që i jep kuptim jetës në këtë qeverisje është stagnuese. Ekonomia, mirëqenia, punësimi, drejtësia dhe të gjitha”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.