May 4, 2024
Kolumna

A kanë ndryshuar talibanët?

Nga Greg Myre – Herën e fundit që talibanët morën nën kontroll Kabulin dhe Afganistanin, në vitin 1996, vendosën menjëherë në regjim të ashpër me taktika brutale. Ekzekutimet publike me gurë të grave u kryen nëpër stadiume, gratë u ndaluan që të punonin, apo shkonin në shkollë. Televizionet, videot, muzika u ndalua. Burrat rriheshin nëse nuk faleshin pesë herë në ditë, ose nëse nuk mbanin mjekër.

Nisi menjëherë një valë e madhe shkatërrimi objektesh kulturore e fetare, që në interpretimin e islamit prej talibanëve ishin “haram”, përfshirë këtu edhe shkatërrimin gjatë luftës së 2001-t të dy monumenteve gjigante të Budës të vendosura 130 kilometra në verilindje të Kabulit, vepra të shekullit të gjashtë dhe të në listën e trashëgimisë globale të UNESCO-s.

Shpejt talibanët armiqësuan shumë afganë, të cilët tashmë i frikësohen një regjimi brutal të ngjashëm me atë të 20 e ca viteve më parë pasi ekstremistët morën nën kontroll Kabulin.

Në konferencën e parë për shtyp, talibanët u shfaqën më “të zbutur” dhe moderuar. Thanë se do të lejonin gratë që të punonin dhe shkolloheshin, se nuk donin armiqësi me asnjë vend të huaj dhe se do të ngrinin një qeveri gjithëpërfshirëse, madje duke bërë pjesë të saj edhe gratë.

Por, a kanë ndryshuar vërtetë talibanët pas rikthimit në pushtet, 20 vite nga regjimi i parë brutal i tyre? A janë për t’u besuar? Shumë analistë besojnë se grupi mysliman sunit është në fazën ku po kuron imazhin publik që gëzon në botë përmes mesazheve që përcjell, ndërsa në praktikë nuk ka dhënë asnjë sinjal që kanë ndryshuaar nga besimet bazë, që bëjnë thirrje për një zbatim strikt dhe pa devijime të një interpretimi të ashpër të ligjit islamik.

“Besoja që me hyrjen në negociata me amerikanët vitin e kaluar ata do të ndryshonin dhe kuptonin rëndësinë e legjitimitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe trajtonin më me respekt gratë”, thotë Ahmed Rashid, gazeta pakistanez që ka ndjekur talibanët që nga momenti i themelimit të tyre në vitin 1994.

“Gjenerata e vjetër e talibanëve, ata që unë kam njohur në vitet ’90 në fakt janë bërë më të edukuar, më të kultivuar”, thotë Rashid, autor i librit “Talibanët: Historia e zotëve afganë të luftës

Megjithatë, “komandantët e rinj janë shumë më të dhunshëm, brutalë, radikalë dhe ekstremistë”, tha ai për NPR, radio publike amerikane. “Ata ndjehen krenarë për mënyrën se si i trajtojnë gratë, edukimin dhe të gjitha të tjerat. Kjo është një tragjedi e vërtetë, sepse këta komandantë udhëhoqën mësymjen mbi Kabul, ndaj nuk mund të injorohen, as nga gjenerata e vjetër e udhëheqësve talibanë”, shton Rashid.

Talibanët nuk kanë bërë asnjë lëshim

Deri pak ditë para se të merrnin Kabulin, talibanët po negocionin me SHBA dhe vende të tjera në Katar dhe nga këto negociata grupi e bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të bënte asnjë lëshim, teksa shihte se si përparonte në terren dhe merrte njëri pas tjetrit kontrollin e qyteteve dhe provincave afgane.

Megjithatë, në vitin e fundit talibanët kanë premtuar se këtë herë do të ndryshojnë për disa gjëra, si lejimi i shkollimit të vajzave dhe shkëputja e lidhjeve me al-Kaedan. Por, këto premtime janë pritur me skepticizëm.

Në Herat e Kandahar janë me dhjetra raportime se si ushtarët talibanë kanë urdhëruar vajzat që të qëndrojnë në shtëpi dhe mos shkojnë në shkollë dhe se si kanë urdhëruar gratë që të mos shkojnë më në punë. Rasti më i freskët ishte ai i një gazetareje të radios publike afgane në Kabul, që iu refuzua hyrja në vendin e punë duke i thënë se “gjërat kanë ndryshuar dhe ajo duhej të kthehej e qëndronte në shtëpi”.

Skepticizëm ka edhe për premtimin për shkëputjen e lidhjeve me al-Kaedan.

“Talibanët dhe al-Kaeda janë aq të lidhura e integruara bashkë sa duken si një, madje duke lidhur edhe krushqi. Al-Kaeda ka bërë të gjitha përpjekjet ndër vite për të martuar luftëtarët e saj me vajza nga familjet talibane”, thotë Doug London, ish-oficer i CIA-s, që ishte në krye të kundërterrorizmit në Afganistan deri në vitin 2018.

“Me shumë mundësi talibanët do të vazhdojnë të garantojnë, të paktën strehë dhe mbështetje për al-Kaedan. Ata do të këshillohen me të, do ta lejojnë që të veprojë brenda Afganistanit”, shtoi London.

SHBA thotë se al-Kaeda dhe ISIS janë dobëzuar ndjeshëm globalisht dhe megjithëse të dyja grupet kanë prani të kufizuar në Afganistan për momentin, kjo mund të ndryshojë me talibanët që mund t’u ofrojnë një mjedis miqësor “për t’u shumuar e fuqizuar”.

Fitorja talibane mund të frymëzojë ekstremistë në vende të tjera

Analisti Peter Bergen mendon se fitorja e talibanëve do të frymëzojë ekstremistët në pjesë të tjera të botës.

“Njerëzit do të marrin kurajo nga kjo dhe do të thonë: “hej, xhihadistët fituan. Ata mposhtën një superfuqi”. Kjo do të shërbejë si një frymëzim i madh për njerëzit që kanë përqafuar këtë ideologji”, thotë autori i librit “Ngritja dhe rënia e Osama bin Laden”.

Bergen thotë se është i shqetësuar se fitorja e talibanëve mund të rikthejë Lindjen e Mesme disa vite pas, ku të riaktivizohet Shteti Islamik i ISIS.

“Kur ISIS drejtonte Irakun dhe Sirinë kishte plot Perëndimorë që dolën vullnetarë për të luftuar për të. Këtu kemi talibanët që bënë thuajse të njëjtën gjë dhe unë parashikoj probleme të mëdha për shtetet perëndimore”, u shpreh ai.

Përvoja 5-vjeçare në pushtet nga 1996 deri në 2001 u ka mësuar talibanëve se sa e vështirë është të qeverisësh një popull të varfër dhe për këtë janë vënë në kontakte me Rusinë dhe Kinën për ndihma, ndërsa sa i takon SHBA dhe vende të tjera Perëndimore nuk pritet që në një periudhë afatshkurtër të ofrojnë ndihma për një qeveri talibane.

Autori është ekspert në çështjet e sigurisë globale dhe njohës i zhvillimeve në Afganistan prej vitit 1993