Parlamenti gjerman ka miratuar të premten një projektligj që hap rrugën për rikthimin e një modeli të ri rekrutimi, me kontrolle të detyrueshme fizike për çdo mashkull që mbush moshën, si dhe një proces vullnetar për shërbimin ushtarak.

Masa pritet të miratohet pa kundërshtime edhe në dhomën e sipërme të parlamentit dhe të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Sipas legjislacionit të ri, Bundeswehr-i do të detyrohet ligjërisht të arrijë deri në 470 mijë trupa deri në vitin 2035, duke përfshirë 270 mijë ushtarë aktivë dhe pjesën tjetër rezervistë.

Aktualisht, ushtria gjermane ka rreth 184 mijë e 330 trupa aktive, një rritje prej 1.5 për qind nga një vit më parë.

Sipas skemës së re, meshkujt gjermanë të lindur në vitin 2008 e në vazhdim do të jenë të detyruar të plotësojnë një pyetësor online sapo të mbushin moshën madhore.

Më pas, ata do të paraqiten në një nga 24 qendrat e reja të inspektimit fizik, që do të hapen gradualisht dhe pritet të jenë plotësisht funksionale deri në mesin e vitit 2027.

Gratë nuk janë të detyruara të marrin pjesë në këtë proces, por kanë të drejtë të aplikojnë vullnetarisht.

Shërbimi ushtarak mbetet vullnetar në këtë fazë, duke funksionuar paralelisht me mundësinë aktuale të shërbimit civil.

Ata që zgjedhin të shërbejnë për një periudhë nga gjashtë deri në njëmbëdhjetë muaj do të paguhen 2 mijë e 600 euro në muaj para taksave, ndërsa për shërbim më të gjatë parashikohen shpërblime të tjera shtesë.

Pas përfundimit të periudhës së trajnimit, rekrutët do të regjistrohen automatikisht si rezervistë.

Bundeswehr-i ka deklaruar se aktualisht nuk ka plane për rikthimin e detyrueshëm të shërbimit ushtarak, i cili u pezullua në vitin 2011.

Megjithatë, ligji i ri lë të hapur mundësinë për masa detyruese në të ardhmen, nëse modeli vullnetar nuk siguron numrin e nevojshëm të rekrutëve.

sqShqip