Në një seancë që zgjati tre orë, avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj nuk parashtroi para gjykatës kundërshtimet e tij ndaj akuzave, me pretendimin se Veliaj nuk është njohur me dosjen. Në një seancë të mëparshme, vetë kryebashkiaku kërkoi që t’i mundësohej leximi i saj, pasi e ka të pamundur në ambientet e paraburgimit.
Por teksa gjykata e rrëzoi këtë kërkesë dhe mbrojtja vijon të pretendojë pamundësinë, SPAK, përmes një reagimi zyrtar, thotë se për këtë fakt nuk ka përgjegjësi prokuroria, pasi njohja me dosjen është një marrëdhënie mes të pandehurit dhe avokatëve mbrojtës.
“Më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.07.2025 deri në muajin shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se: “Më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vënë në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal”.
Po ashtu, SPAK thotë se zvarritjet e kësaj faze kanë ardhur për shkak të kërkesave të pabazuara të avokatëve.
“Janë shtyrë 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo edhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale”.
Në seancën e zhvilluar të premten, disa prej të pandehurve lexuan kundërshtimet e tyre për akuzat, mes të cilëve edhe ish-deputetja Klotilda Bushka. Nëpërmjet avokatit, ajo kërkoi pushim të çështjes dhe papërdorshmëri të akteve. Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet më 12 dhjetor.

