Çarja e tokës në Likovë nuk ka të ndalur. Pjesa shkëmbore që rrëshqet në hyrje të fshatit ka ngritur alarmin e evakuimit. Pamje apokaliptike nga hapja e tokës me disa metra të thella e të gjëra, që kanë shqetësuar banorët e zonës. Në rrezik është edhe rruga regjionale.

“Këtu që po e shihni këtë gurë është simbol i një çezme shumë të vjetër të fshatit Likovë që nënkupton se e gjithë zona ka ujë mineral dhe qëndrueshmëria e tokës është e lëvizshme gjatë gjithë këtyre periudhave dhe si pasojë çarja e tokës në këto katër ditët e fundit është shumë e dukshme dhe ka rrezikuar që banorët të evakuohen”, tha Adnan Qaili, gazetar TV21.

Më të rrezikuar janë familja Shukriu, të cilët tani më një javë kanë braktisur shtëpitë. Janë ngritur emergjenca civile për konstatimin e shkaqeve, por kryefamiljari bën thirrje që urgjentisht të ndërhyhet me gërryerjen e kodrës që mos të vijë deri te fatkeqësia me pasoja në njerëz.

“Jemi në rrezik i gjithë fshati në përgjithësi por edhe unë dhe e kam lëshuar shtëpinë, po rrimë mysafir te nipat dhe dajat. Ju bëj apel autoriteteve nga Shkupi që të vijnë sa më shpejtë në vendngjarje se mund të ndodh edhe problemi më i madh, mund të rrëshqet toka dhe të bllokoj rrugën kryesore Kumanovë-Shkup nga rruga e vjetër. Nuk ka bo vaki më përpara të rrëshqet ky vend, por tani jemi detyruar të largohemi prej shtëpisë me fëmijët dhe kafshët shtëpiake dhe të gjithë, andaj ju bëj apel të interevnohet sa më shpejtë”, u shpreh Agim Shukriu, pronar i shtëpisë në Likovë.

Nga Komuna e Likovës thonë se janë në pritje të ekspertëve nga Instituti Sizmologjik për të verifikuar llojin e shkëmbit dhe rreziqet eventuale nga ujërat nëntokësorë. Ata thonë se kjo zonë nuk ka qenë e paraparë për ndërtime.

“Ditën e shtunë pronari e ka paraqitur te shtabi i krizës se ka rrëshqitje të dheut, ekipi ka dal në vendngjarje e ka konstatuar se ka rrëshqitje para shtëpisë poshtë dhe ka çarje mbi shtëpinë në lartësinë 15 metra. Shtabi i krizës ka informuar menjëherë organet shtetërore si Qendra për Menaxhim me Krizat, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, njëkohësisht e ka informuar edhe Qeverinë për ngjarjen që ka ndodhur. Në të njëjtën kohë komuna i ka njoftuar se nuk ka resurse për ta sanuar këtë vend”, theksoi Nuhi Ajdini, sekretar i komunës së Likovës.

Raporti i inspektimit të 2 dhjetorit nga Enti Gjeologjik i RMV-së tregon se pas shumë vitesh është riaktivizuar një pllakë fosile shkëmbore me çarje me përmasa nga 20cm deri në 1m të gjera, rreth 4-5m të thella dhe rreth 100-150m të gjata. Raporti thotë se çarja është ndihmuar nga reshjet e fundit atmosferike, duke rrezikuar stabilitetin e tokës. Enti Gjeologjik propozon për gërryerjen në kaskada, hapjen e tre vrimave gjeologjike në përcaktimin e llojit të shkëmbit dhe sasinë e saj që ka rrëshqitur dhe të merren masa urgjente për rehabilitimin e stabilizimin e saj.

sqShqip