Në rast zjarri, si ai i mbrëmshmi në Çarshinë e Shkupit, qasja për ndërhyrje nga shërbimet e emergjencës është jashtëzakonisht e vështirë, për shkak të rrugëve të pakalueshme, uzurpimit të pronës publike, tendave dhe pengesave të tjera që bllokojnë lëvizjen e automjeteve të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësve.
Nëse një dyqan ndizet dhe nuk intervenohet shpejtë për shuarjen e zjarrit është e mundur të përfshihen nga zjarri edhe shumë dyqane të tjera që për shkurt kohë mund të përfshihej e gjithë çarshia e vjetër e Shkupit thonë esnafët. E gjithë kjo sipas tyre, për shkak të strukturës së vjetër të ndërtimit të objekteve që thuajse në të gjitha dyqanet është përdorur druri për ndërtim.
“Shumica e dyqaneve janë të ndërtuara me dru dhe janë të vjetra. Shumë pak duhet që e gjithë çarshi të përfshihet nga zjarri, dhe ja nga mëngjesi ka shumë tym dhe nuk merret frymë. Në çarshi duhet të pastrohen rrugët të cilat janë të zëna dhe as ndihma e shpejtë e as zjarrfikësit nuk mund të hyjnë sepse tendat janë shumë poshtë, shumë karrige dhe shumë platforma ka, pra duhet që shumica të largohen”, tha Shaip Rahman – Pronar dyqani në Çarshi të Shkupit.
Pikërisht këto vështirësi i konfirmojnë edhe esnafët dhe vizitorët e Çarshisë, të cilët theksojnë se rreziku nga zjarri është i madh dhe se ndërhyrja e vonuar mund të sjellë pasoja serioze.
“Nëse një zjarr ndodhë brenda në çarshi ndoshta mund të ndodhë deri në mënyrë fatale dhe shkrumbim të çarshisë pasi dyqanet janë të ngjitura njëri me tjetrin dhe kjo është. Për atë duhet të ketë qasje në çarshi në çdo vend si me automjete të vogla ashtu edhe ato të zjarrfikësve”, theksoi Suat Nuredini – Nëpunës në Çarshi.
Edhe pse në disa vende në çarshi të Shkupit ka edhe hidrantë, përsëri rruga deri tek ato në shumë raste është e bllokuar.
Sipas esnafëve të çarshisë, në të shumtën e rasteve janë pronarët e dyqaneve të çarshisë së Shkupit të cilët të parët ndihmojnë dhe intervenojnë kur ka raste të zjarrit. Si qytetarët ashtu edhe disa nga pronarët e dyqaneve të çarshisë apelojnë që në të ardhmen të merren masa për largimin e uzurpimeve e sidomos në pjesët ku qasja e automjeteve të emergjencës është e pamundur./ Alsat.mk

