Nga Etem Xheladini

(Analizë mbi heshtjen institucionale dhe injorimin politik)

Historia e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut është e mbushur me kapituj rezistence, sakrifice dhe mosnënshtrimi. Por jo rrallë, pikërisht ata që u ngritën të parët për të mbrojtur të drejtat kombëtare mbetën më të harruarit. Ndër figurat që sot vazhdojnë të rrinë në hijen e historisë janë edhe Rexhije Avdiu-Xheladini, Xhemile Sopi, Naile Memeti, Zejnure Qerimi, Aferdita Alimi, Farije Arifi, Sadije Y. Imeri, dhe Lumnije Neziri, këta vajza të reja që në vitin 1988 u përballën me pushtetin komunist për të mbrojtur shkollën shqipe në Kumanovë.
Ato ishin ende adoleshente: 17 dhe 18 vjeçe. Por në ditët e errëta të represionit, ishin më të rritura se shumë burra. Folën kur të tjerët heshtën, u ngritën kur të tjerët stepeshin dhe u burgosën kur të tjerët fshiheshin. Sot, pas afër gati katër dekadash, kontributi i tyre mbetet i pandriçuar sa duhet.
Pse? Pse këto luftëtare të para të arsimit shqip u lanë në harresë?
Sistemi i ri trashëgoi logjikën e vjetër të pushtetit!
Me rënien e komunizmit u prit të vinte drejtësia morale. U prit që sakrifica të nderohej, jo të shpërfilej. Por sistemi i ri në Maqedoni nuk u ngrit mbi meritokracinë, por mbi klientelizmin politik. Njerëzit me vlerë, integritet e histori të fortë u lanë anash, ndërsa u shpërblyen militantët e partive.
Figura si vajzat e vitit 1988-ës, nuk i shërbenin pushtetarëve të rinj. Ato ishin të pavarura, të pakontrollueshme dhe me një moral që mbyste shumë karriera artificiale.
Partitë shqiptare ndërtonin pushtetin mbi harresën, jo mbi sakrificën!
Në vend që këto gra të ftoheshin në institucione arsimore, të punësoheshin në administratë apo të ishin pjesë e vendimmarrjes politike, ato u lanë pas dore. Nuk u dha mundësi, nuk u përfshinë, madje shpesh u shmangën qëllimisht. Pse?
Sepse njerëzit me histori të fuqishme nuk janë të manovrueshëm, nuk bëhen instrument në duart e partive. Dhe askush nga pushtetet e pasviteve ’90 nuk dëshironte zëra që mund t’ua kujtonin:
“Ju s’keni bërë as gjysmën e asaj që kemi bërë ne.”
Shoqëria shqiptare nuk ndërtoi kulturë nderimi ndaj sakrificave!
Kjo ndodh shpesh te ne:
heronjtë kujtohen vetëm në përvjetorë, dëshmorët rëndom vetëm në fjalime, ndërsa të burgosurit politik harrohen ditën që dalin nga qelitë.
Për shkak të mungesës së institucioneve kërkimore, muzeve, arkivave dhe akademisë që dokumenton historinë, shumë figura mbeten jashtë kujtesës kolektive, edhe kur ato kanë qenë gjallëri e rezistencës shqiptare.
Gratë shqiptare u lanë jashtë narrativës historike!
Në shumë raste, historia jonë ka përjashtuar gruan shqiptare edhe kur ajo ka qenë në vijë të parë të betejave. Kështu ndodhi edhe me demonstratat e vitit 1988 në Kumanovë. Atyre demonstratave shpesh u referohen vetëm si “ngjarje”, por pa përmendur emrat e vajzave që ua dhanë shpirtin dhe pulsin.
Ky është një dëm i dyfishtë, edhe kombëtar, edhe gjinor.
Pushteti vazhdon të shpërblejë bindjen, jo guximin!
Rexhije Avdiu-Xheladini, Xhemile Sopi, Naile Memeti, Zejnure Qerimi, Aferdita Alimi, Farije Arifi, Sadije Y. Imeri, dhe Lumnije Neziri, u burgosën prej 15 ditë 2 muaj e deri me 5 vite, sepse guxuan të flisnin. Më vonë u injoruan për të njëjtën arsye: guximi i tyre nuk përputhej me modelin e qytetarit të bindur që preferojnë partitë në pushtet. Pushtetet tona vazhdojnë të kenë frikë nga njerëzit që dikur, në moshën 18-vjeçare,po edhe nën, i thanë regjimit komunist:
“Pse nuk na lejoni të mësojmë në gjuhën amtare?”
Guxim që dikur ishte rrezik, sot mbetet i padëshiruar.
Heshtja dhe injorimi ndaj këtyre katër vajzave nuk është rastësi. Është rezultat i një sistemi të ngritur mbi harresë, mbi interes politik, mbi mungesë meritokracie dhe mbi frikën nga personalitetet e pavarura. Por koha ka ndryshuar. Sot historia nuk shkruhet vetëm nga regjimet dhe partitë. Shkruhet nga qytetarët, nga media e lirë, nga ata që nuk pranojnë të heshtin.
Detyra jonë është t’i rikthejmë Rexhije Avdiu-Xheladini, Xhemile Sopi, Naile Memeti, Zejnure Qerimi, Aferdita Alimi, Farije Arifi, Sadije Y. Imeri, dhe Lumnije Neziri, në vendin që meritojnë: në kujtesën tonë, në historinë tonë, në ndërgjegjen tonë kolektive.
Sepse një popull që harron vajzat më të guximshme, rrezikon të harrojë edhe vetveten.

sqShqip