Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se po ushtrohet presion mbi Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me padinë e bërë nga Kryeministri për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Ballukut, nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Berisha theksoi se Gjykata Kushtetuese po vepron nën presion politik dhe se duhet të hidhte poshtë shqyrtimin.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se “ky parlament ngjet sot me parlamentin fals, me parlamentin kallp. Një njeri ka marrë çdo pushtet në të cilin një njeri arrin të bllokojë vendimet e gjykatave, prokurorisë për vjedhjet monstruoze ndaj qytetarëve. Në të cilin një njeri arrin të ushtrojë një presion të tmerrshëm të gjithanshëm, banditesk mbi Gjykatën Kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese në një diktat të plotë dhe në presion të tmerrshëm, në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin, siç hodhi poshtë shqyrtimin e 30 deputetëve, nuk e legjitimoi duke shkelur Kushtetutën, nuk hedh poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme që është e zakonshme në Europë dhe kudo”, tha Berisha.

Berisha tha se Shqipëria ndodhet në krizën më të thellë politike dhe ekonomike, ndërsa qeveria është përfshirë në skandale korrupsioni të lidhura me tendera dhe projekte publike.

Sipas tij, ekonomia shqiptare mbahet vetëm nga shteti, ndërsa 10.3 miliardë euro nga fondet publike janë zhdukur pa gjurmë.

sqShqip