Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Kina zotëron “aftësi vendimtare” për të ndikuar në arritjen e një armëpushimi në Ukrainë. Komentet u bënë gjatë takimit të tij me Presidentin kinez Xi Jinping, i zhvilluar në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

Macron theksoi se roli i Kinës në stabilizimin e situatës ndërkombëtare është i rëndësishëm, veçanërisht në krizën e vazhdueshme në Ukrainë. Ai nënvizoi se Pekini është një aktor me peshë në çështjet globale dhe se mbështetja e tij mund të jetë thelbësore për të shtyrë palët drejt një zgjidhjeje diplomatike.

“Kina ka aftësinë të ndikojë në mënyrë vendimtare në çështjen e armëpushimit në Ukrainë,” u shpreh lideri francez. Gjatë deklaratave të përbashkëta, Macron theksoi gjithashtu nevojën që Franca dhe Kina të kapërcejnë “dallimet” mes tyre. Ai pranoi se mes dy vendeve ekzistojnë herë pas here mosmarrëveshje, por sugjeroi se ato nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin për sfidat globale. “Ngandonjëherë ka mosmarrëveshje, por është përgjegjësia jonë t’i kapërcejmë ato për të mirën e përbashkët,” tha ai. Takimi mes dy liderëve vjen në një moment kritik për diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mbeten ndër prioritetet kryesore të Evropës.

sqShqip