Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare 2024, LSDM-ja vazhdon fushatën

Bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore të koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” të LSDM-së, Oliver Spasovski, së bashku me kandidatin për deputet në këtë njësi, Fatmir Bytyqi, në takim me qytetarët në Çuçer Sandevë në Shkup, thanë se më 8 maj fiton koalicioni i tyre. Spasovski dhe Bytyqi thanë se kanë pranuar mesazhin e qytetarëve të dhënë më 24 prill, por ky rezultat duhet të jetë motivim, për të ngritur dhe vazhduar para, pasi që siç vlerësuan ata dy, Maqedonia progresive dhe evropiane është ajo e cila u nevojitet të gjitha gjeneratave. Lufta politike nuk ka përfunduar, ne nuk dorëhiqemi, tha Bytyqi para qytetarëve duke qenë i bindur se ka ende kohë për t’u përmirësuar në terren.
“Ngritni kokat, ktheni buzëqeshjet, sepse ne si parti jemi të bashkuar dhe do të luftojmë për bindjet tona. Vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për idealet e LSDM-së, për idenë për Maqedoni evropiane në këto dy javë edhe më shumë do t’i përforcojmë. Dorëheqja nuk është opsion për ne.”, – deklaroi kandidati për deputet në  njësinë zgjedhore 2 – LSDM, Fatmir Bytyqi.
Në ndërkohë lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, tha se pranon përgjegjësinë që ka LSDM-ja në lidhje me rezultatet e rrethit të parë, duke thënë se LSDM-ja do të duhet të ndryshojë disa gjëra nëse dëshiron të kthejë besimin  e qytetarëve. Ndryshime po, por  në asnjë mënyrë të mos mendojë se LSDM-ja do të heqë dorë nga koncepti, respektivisht nga perspektiva evropiane që e  ofron këtë subjekt politik, u tha Kovaçevski qytetarëve të Çuçer Sandevës, duke thënë qartë se LSDM-ja është parti e fuqishme. U shpreh i vetëdijshëm se zgjedhjet  e 8 majit do të jenë të vështira, por rezultati ende nuk dihet, andaj Kovaçevski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 8 maj masovikisht të dalin dhe të votojnë për ofertën e  LSDM-së, sepse në këtë mënyrë garantohet e ardhmja evropiane e të gjithëve.
“Dua t’ju inkurajoj që të flisni me secilin nga miqtë tuaj, të afërmit, fqinjët, deri në datën 8 maj, për të thënë se PO, ne e kuptojmë se ku kemi gabuar, se kemi një program të qartë për t’i rregulluar këto gabime, gjithashtu t’u thoni se ne jemi ajo parti e cila i siguroi të gjitha gjërat më progresive për shtetin dhe që e çliroi vendin nga kthetrat e partisë që kishte gjithçka në dorë për një dekadë të tërë.”, – theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Dimitar Kovaçevski po ashtu u zotua se po që së fiton besimin e qytetarëve dhe LSDM-ja formon përbërjen e re qeveritare do të bëjë çmos për të përmirësuar gjendjen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe se do të promovojë politika të mira shëndetësore, sociale dhe ekonomike përmes së cilës do të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve.  Kovaçevski paralajmëron edhe veting në gjyqësor dhe politikë. Nëse fiton VMRO-DPMNE-ja, tha Kovaçevski, do t’u jepen fund marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe vendi do të stagnojë në rrugën eurointegruese dhe vendi do të izolohet.
Koalicioni  “Për ardhmëri  Evropiane” i udhëhequr nga LSDM-ja sot vazhdoi fushatën për zgjedhjet parlamentare me moton “Nuk heqim dorë nga e ardhmja”, ndërsa lideri socialdemokrat njëherit edhe bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore, Dimitar Kovaçevski, ka realizuar edhe takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike. Me aktivitetet parazgjedhore vazhdon edhe  bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore, Oliver Spasovski. Sipas tij, LSDM- ja ka qenë dhe mbetet këtu për të hapur perspektiva evropiane të vendit. Ai tha se së bashku me LSDM-në do të përqendrohet që deri në fund të fushatës së rrethit të dytë të sigurojnë fitore, duke i bindur qytetarët në konceptin e tyre proevropiane dhe u kërkon qytetarëve të jenë aktiv në terren dhe t’i bindin të tjerët se gabimet do të përmirësohen në të ardhmen. Fushatën e vazhdon edhe kandidati presidencial i koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane”, i udhëhequr nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski. Ai aktivitetet parazgjedhore i ka përqendruar sot në qytetin e Krushevës, ku do të mbajë tubim dhe bashkëbisedim me qytetarët./TVM2