May 7, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet 2024, “Fronti Evropian”: Nuk do të lejojmë izolimin

“Fronti Evropian” ushqen evropianizimin, ndërsa e keqja e shqiptarëve dhe bashkësive tjera vjen nga Nacionalizmi Maqedonas. Kështu deklaroi kryetari i partisë “Populli”, njëherit edhe kandidati për deputet në njësinë e dytë zgjedhore, Skender Rexhepi Zejd, duke shtuar se këtij nacionalizimi do t’i vijë fundi më 8 maj. “Fronti Evropian” nuk do të lejojë edhe një izolim të shtetit, tha Rexhepi, duke theksuar se shqiptarët nuk janë siç ishin para vitit 2001, pasi tani drejtojnë institucione si kryeparlamentari apo kryeministri.
“Ne kemi hyrë në garë për t’ua dëshmuar të gjithë qytetarëve jo maqedonas, përfshi edhe shqiptarëve, se e keqja e shqiptarëve dhe qytetarëve të RMV-së vjen nga nacionalizmi maqedonas dhe sot erdha këtu që t’u kërkoj banorëve të Çairit dhe të gjithë qytetarëve kudo që janë, të na ndihmojnë ta forcojmë frontin evropian, që nesër ballëhapur do t’i bëjmë ballë atij nacionalizmi, sepse ardhmëria edhe e familjes tënde edhe simes edhe e të gjithëve është në dorë të njerëzve, të cilët duhet t’i rrinë me krenari dhe dinjitet në mbrojtje të saj. Këtë do ta bëjmë më së miri ne, ndërsa nacionalizmi maqedonas do të shuhet pas 8 majit. Ju do të jeni dëshmitarë të gjithë, nuk munden ata ta përballojnë një izolim dhe një konflikt tjetër. Nuk janë më shqiptarët siç ishin para 2001-shit. Sot do të jenë shqiptarët krejt tjerë, sot kemi edhe kryeministër shqiptar, sot kemi edhe kryeparlamentar shqiptar.”, – deklaroi kryetari i partisë “Populli”, Skender Rexhepi.
Qëndrimi i të gjithë kryetarëve të partive politike që e përbëjnë “Frontin Evropian” është se do t’i qëndrojnë vijës evropiane, për çka do të këmbëngulin edhe në bisedimet për formimin e qeverisë së re nëse VMRO-DPMNE-ja i fiton zgjedhjet. Pa vijën evropiane nuk do të lejojmë të fillohen bisedime tjera, theksoi Rexhepi. Askush nuk i ka dy jetë, prandaj nuk do të lejojmë ta harxhojmë kot, theksoi më tej ai, duke shprehur bindje se do ta detyrojnë edhe oponentin maqedonas që të pajtohet me vijën evropiane të ardhmërisë së shtetit, në të kundërtën zgjedhjet do të mund të përsëriten. Rexhepi u ndal edhe te deklarata e kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se do ta bëjë qeverinë me koalicionin VLEN. Sipas Rexhepit është normale që Mickoski do të tentojë ta bëjë qeverinë me servilët, por sipas tij sovrani janë qytetarët në komunat me shumicë shqiptare. Nëse ata vendosin se mund t’i udhëheqin ato komuna pas 8 majit, ne do të vendosim se çka më tej.
Nuk do të vlejë ajo deklaratë pas fitores së “Frontit Evropian” më 8 maj, theksoi Rexhepi, duke shtuar se ardhmërinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre qytetarët do të ia besojnë këtij koalicioni. Ai apeloi që të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e “Frontit Evropian” për ta bërë ndryshimin rrënjësor duke e bërë faktor kryesorë këtë front, për t’i qëndruar përballë dhe me krenari nacionalizmit maqedonas, gjë që sipas tij mund ta bëjë vetëm “Fronti Evropian’ me kryetarët e partive të këtij koalicioni, që përbëhet prej 9 partive politike.
ASH: Gjithmonë do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve
Një nga partitë e “Frontit Evropian” është edhe Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, nga e cila duke u falënderuar për mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 24 prillit, zotohen se gjithmonë do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe do të punojnë për të ardhmen e tyre. Mbështetja juaj është edhe një dëshmi për pastërtinë e politikave tona, thonë nga partia e Selës.
Sipas kësaj partie, është për të ardhur keq se si një shqiptar dhe një ish-kryetar partie, ish-kandidat për president, po lëviz me saktësi sipas manualit të VMRO-së. Fal Zotit, deputetëve, anëtarëve e aktivistëve të saj, ngjyrat e Aleancës për Shqiptarët nuk u ndyn me veprimtari kuslinge. Thirrje, të gjithë atyre që u mashtruan në pjesën e parë, të japin përgjigjen me votë duke përforcuar digën e “Frontit Evropian” kundrejt çfarëdo politike regresive e antiperëndimore, theksojnë në një reagim me shkrim nga partia e Ziadin Selës, duke theksuar se sa më i madh të jetë “Fronti Evropian”, aq më të rëndësishëm do të jenë shqiptarët, por edhe bashkëqytetarët, turq, boshnjak, rom dhe maqedonas./TVM2