Etem Xheladini

Çështja e reformave brenda partive politike është bërë një nga temat më të shpeshta në diskursin publik, sidomos pas insistimit të kryeministrit Hristijan Mickoski që BDI-ja të ndërmarrë reforma të thella të brendshme. Megjithatë, një qasje e këtillë e njëanshme nuk reflekton realitetin politik të vendit dhe as historinë e bashkëqeverisjes në dhjetë vitet e kaluara.
Nëse kërkohet reformim, ai duhet të jetë i ndërsjellë, sepse asnjë parti nuk mund të pretendojë pastërti politike duke anashkaluar përgjegjësinë e vet. Po të kujtojmë periudhën e njëdekadëshe të qeverisjes së përbashkët mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, nuk mund të mohohet se gjatë asaj kohe u zhvilluan procese të montuara politike kundër shqiptarëve të pafajshëm, të cilat u përdorën si mekanizma për të mbuluar mega-korrupsionin që doli në shesh vite më vonë. Për këto skandale nuk u mor asnjë masë e vërtetë, ndërsa opinioni u la me shumë enigma të pashpjegueshme.
Prandaj, në prag të Kongresit të dhjetorit, BDI-ja duhet të bëjë një hap strategjik: të parashtrojë një Marrëveshje Politike të detajuar, ku të përcaktohen qartë kriteret e reformimit që duhet t’i përmbushë edhe VMRO-DPMNE-ja, nëse në të ardhmen do të kërkohet bashkëqeverisje. Reformat nuk mund të jenë privilegj i një partie, ndërsa një tjetër të shpëtojë pa u prekur, sidomos kur trashëgimia e saj politike mbart mbi vete skandale që kanë dëmtuar rëndë shqiptarët dhe stabilitetin e shtetit.
BDI-ja duhet të miratojë në Kongres një vendim të qartë: bashkëqeverisja me VMRO-DPMNE-në mund të ndodhë vetëm nëse e jep sovrani dhe vetëm mbi bazën e kushteve dhe vijave të kuqe të dakorduara më parë. Nëse një strategji e tillë mungon, rreziku i përsëritjes së gabimeve të së kaluarës është i madh. Dhjetëvjeçari i kaluar me VMRO-DPMNE-në u karakterizua nga mega-skandale, afera të rënda dhe vendime politike të cilat mbetën pa përgjegjësi. Një rikthim në një partneritet të pakushtëzuar do të ishte i padrejtë ndaj elektoratit shqiptar dhe kundër interesave kombëtare.
Nga ana tjetër, fuqizimi i opozitës shqiptare është i dobishëm dhe i shëndetshëm për demokracinë, por çështjet me interes të përgjithshëm kombëtar kërkojnë unitet politik, koordinim dhe harmonizim qëndrimesh mes të gjitha partive shqiptare, pa përjashtim, qoftë në pozitë apo opozitë.
Me fjalë të tjera: është koha që reformat të mos jenë vetëm kërkesa selektive, por parim i përbashkët, i detyrueshëm dhe i balancuar. Vetëm kështu mund të ndërtohet një partneritet politik i drejtë, i barabartë dhe i qëndrueshëm.

sqShqip