Rajon - Botë

Nga 2022 duhet “autorizim” për të gëzuar lëvizjen e lirë në BE

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të hyjë në fuqi rregullorja e re e lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian për shtetasit e vendeve të treta, sipas të cilave çdo subjekt i këtyre ndryshimeve duhet të aplikojë për të marrë më parë një autorizim 3 vjecar që e identifikon si person pa rekorde kriminale dhe që nuk është terrorist.

Synimi i kësaj rregulloreje është që të parandalojë hyrjen në territorin e unionit të personave me precedentë kriminalë, apo terroristëve.

Rregullorja e re është më shumë teknike dhe pritet që të mos ketë ndikim te lëvizja e tanishme e qytetarëve të vendeve të treta, siç janë shqiptarët. Ajo parashikon ngritjen e një sistemi të përbashkët europian, që do të përmbledhë një regjistër me rekordet kriminale nga shtetasit e vendeve të treta.

Në momentin që njëri prej këtyre shtetasve aplikon për vizë, apo paraqitet në një nga pikat hyrëse të BE-së për të shfrytëzuar lëvizjen e lirë Shengen, sinjalizohet nga sistemi në të gjitha vendet e tjera.

Ndryshimet e reja përcaktojnë që vetëm Sistemi Qendror ETIAS ka akses që të shohë dënimet penale të personave të caktuar dhe ato duhet të hiqen 15 vjet pas krijimit të tyre duke u rritur në 25 vjet në rastin e veprave terroriste. Gjithashtu, Sistemi Qendror tani do të njoftojë sistemet e shteteve anëtare për alarmet e rreme, që rezultojnë nga përpunimi i automatizuar në një mënyrë që siguron anonimitetin e subjekteve të të dhënave.

Një vlerësim i ndikimit i porositur nga Komiteti i Lirive Civile në Parlament ka paralajmëruar se alarmet e rreme që rezultojnë nga çështje të cilësisë së të dhënave (për shembull, gabime drejtshkrimore) mund të shndërrohen potencialisht një problem që mund të kërkojë një legjislacion të ri shtesë.

Me nisjen e 2022, sistemet ETIAS do të kontrollojnë regjistrat e udhëtarëve të përjashtuar nga vizat para se të hyjnë në zonën Shengen. Kryqëzimi i aplikacioneve të udhëtimit me bazën e të dhënave (Sistemi i Informacionit të Vizave VIS, Sistemi i Informacionit Shengen SIS, baza e të dhënave kriminale ECRIS, baza e të dhënave për gjurmët e gishtave Eurodac dhe Sistemi i Hyrjes-Daljes EES), sistemi do të vlerësojë nivelin e rrezikut të një aplikuesi në aspektin e sigurisë publike emigracionit, ose epidemive.

Për të lehtësuar udhëtimin për individë pa rreziqe, një autorizim udhëtimi ETIAS do të jetë i vlefshëm për tre vjet, përveç rasteve kur futet një sinjalizim i ri përkatës në bazat e të dhënave. Ndryshimet e reja lejojnë ETIAS të kërkojë të dhënat e ECRIS, EES dhe Eurodac, si dhe të dhënat e Europol.

Rregullorja është miratuar nga Parlamenti Europian në konsultim me Këshillin Europian.