Fondet e planifikuara mbulojnë pa pengesa bursat, ushqimin e subvencionuar, akomodimin dhe shërbimet studentore, ka siguruar MASH-i
Albina REKA
Shkup, 28 nëntor – Asambleja Studentore e Universitetit (ASU) të “Shën Kirili dhe Metodi” ka ritheksuar vendosmërinë për të mbrojtur standardet studentore dhe për të vijuar luftën për avancimin e të drejtave të studentëve. Reagimi i tyre vjen pas shqetësimeve të publikuara në hapësirën publike, sipas të cilave, buxheti për standardet studentore për vitin e ardhshëm do të zvogëlohet me rreth 7 milionë euro. Si përfaqësuese e interesave të mijëra studentëve, ASU ndërmori menjëherë hapa konkretë për të sqaruar gjendjen, duke kërkuar takim urgjent me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Gjatë takimit, përfaqësuesit e MASH siguruam studentët se propozim-buxheti është hartuar në bazë të analizës së nevojave reale dhe se zvogëlimi i raportuar nuk do të ndikojë negativisht në të drejtat që ata gëzojnë aktualisht. Sipas tyre, fondet e planifikuara garantojnë pa pengesa bursat studentore, ushqimin e subvencionuar, akomodimin në konvikte, si dhe të gjitha shërbimet tjera të mbështetura nga Ministria. Ata sqaruan se pjesa e buxhetit që paraqitet si reduktim është në fakt rezultat i një ristrukturimi financiar, i cili ka për qëllim realizimin e investimeve kapitale në infrastrukturën studentore.
Këto investime përfshijnë përfundimin e projekteve të rëndësishme, si rindërtimi i konvikteve “Kuzman Josifovski – Pitu” dhe “Stiv Naumov”, fillimi i rikonstruksioneve në konvikte të tjera, si dhe vazhdimi i punimeve në objektet e reja të FINKI-t dhe FFOSZ-it. Qëllimi kryesor i këtyre projekteve është përmirësimi i kushteve të jetesës studentore dhe ngritja e cilësisë së arsimit të lartë. ASU thekson se do të vazhdojë të jetë një zë kritik, aktiv dhe vigjilent. Ata paralajmërojnë monitorim të rreptë të realizimit të buxhetit gjatë vitit 2026 dhe ndërhyrje çdo herë që standardet studentore rrezikohen ose objektet infrastrukturore nuk përparojnë sipas planit. Ky rol mbikëqyrës vlerësohet si thelbësor për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.
Në fund të deklaratës, Asambleja Studentore shpreh besimin se institucionet do t’u përmbahen premtimeve të bëra. Ata bëjnë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet studentëve dhe autoriteteve, duke nënvizuar se vetëm përmes partneritetit dhe komunikimit të hapur mund të arrihet zhvillimi i qëndrueshëm i arsimit të lartë dhe rritja e standardit të jetës studentore.(koha.mk)

