Struga u vesh sot me ngjyrat kuq e zi. Me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntorit, një paradë madhështore me kostume popullore dhe flamuj mblodhi në rrugët e qytetit nxënësit shqiptarë nga shkollat fillore dhe të mesme. Marshimi përshkoi bulevardet kryesore deri tek Ura e Çarshisë, ku u zhvillua një program kulturor e artistik, i ndjekur nga një numër i madh qytetarësh dhe mysafirësh të ardhur nga vende të tjera.
Për këtë organizim, nxënësit dhe mësuesit kishin punuar plot 20 ditë. Në lumin Drini i Zi u vendos edhe një flamur i madh në një platformë lundruese, duke krijuar një moment simbolik të veçantë. Festivali u mbyll me homazhe pranë varrit të djalit të Ismail Qemalit, si dhe te figurat e tjera të rëndësishme historike në Strugë.
Sot, Struga u vizitua nga një numër i madh turistësh nga Shqipëria, kryesisht nga Pogradeci dhe Përrenjasi, duke festuar ditën në disa nga lokalet e qytetit.
“Kemi shumë lëvizje sot në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, në kufirin Maqedoni-Shqipëri, por veçanërisht për hyrje nga Shqipëria në Maqedoni. Për shkak të festës shtetërore dhe ditë jo pune sot në Shqipëri, qindra qytetarë shqiptarë,veçanërisht nga vendet fqinje dhe qytete, shkuan për të festuar 28 Nëntorin në Strugë ose Ohër. Disa na thanë se do të qëndronin për disa ditë, gjithë fundjavën. Më pak lëvizje vumë re për hyrje në Shqipëri”, raporton Miki Trajkovski- gazetar.
Në vendkalimin kufitar Qafë Thanë nga data 27.11.2025 nga ora 17:00 deri më 28.11.2025 deri në orën 13:00, në vend kanë hyrë 1,542 shtetas të huaj, ndërsa kanë dalë 498 shtetas të Maqedonisë. /Alsat.mk

