“E kam dëgju fjalën arabe ‘selam alejkum’” – Rrëfimi i Gani Gecit se si e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në vitin 2014
Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci kishte rrëfyer në Gjykatë momentin kur e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në Skenderaj në gusht të vitit 2014.
Geci dy vjet pas vrasjes në vitin 2016 kishte treguar para gjykatësit detajet se si e kishte vrarë Shaqirin.
“Jam kanë në sheshin e Skenderajt dhe e kam dëgju fjalën arabe “selam alejkum”, dhe jam kthy në anën e majtë, I kam pa disa persona ulur në tavolinë, në mesin e tyre ishte edhe Ruzhdi Shaqiri. E pashë se ai e kishte çu dorën ma kish pas ba “selak alejkum” dhe jam kthy kur e kam pa Ruzhdinë, jam tut se Ruzhdinë se kam pa kurrë në Skenderaj kurrë e as në atë lokalin që kam ndejt unë kurrë. Pastaj jam shku afër tavolinës dhe i kam thanë a i ke tubu pleqt për me ba be ku je kanë me 19.10, Ruzhdia e ka shty tavolinën nuk më ka lanë me përmend datën 2001 dhe me njërën dorë e ka shty tavolinën dhe më ka thanë hup shko në *** dhe u mundu me u çu në kamë dhe unë jam frigu fort se thashë e nxjerri, e kam pa diçka mu ka dokë si zi si armë mu ka dokë edhe unë jom hupë s’di as çka kom ba”, kishte thënë Geci.
I pyetur nga avokati se përse nuk e ka shmangur takimin me Ruzhdi Shaqirin dhe të largohej, Geci kishte thënë se nuk ia ka kthyer shpinën asnjëherë sepse e ka konsideruar njeri të rrezikshëm.
“Unë edhe ma herët kur e kam pa Ruzhdi Shaqirin nuk ia kam kthy shpinën kurrë atë e kam konsideru njeri të rrezikshëm”, kishte deklaruar Geci.