October 8, 2024
Kosovë

Qeveria e Kosovës: Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje, ndërmjetësues kemi shumë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se nga Shqipëria presin mbështetje, sa i përket dialogut, duke theksuar se “kanë shumë ndërmjetësues”.

“Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, ka thënë Kryeziu për RTV Dukagjinin, në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të cilin u ka prezantuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Kryeziu ka shtuar se çështja e katër kryetarëve në veri – tre prej të cilëve iu është dashur asistim nga Policia e Kosovës për të hyrë në objektet përkatëse komunale – është çështje e kushtetutës dhe sundimit të ligjit.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin është “çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit e cila synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën Serbe’”.

“Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka propozuar një draft-statut të Asociacionit presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz të cilët i cilësoi si “kumbarë” të planit franko-gjerman.

Në një konferencë për media lidhur me situatën në veri të Kosovës, Rama ka deklaruar se për të, i pakuptueshëm mbetet pozicioni i Kosovës dhe jo ai i Serbisë.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë, prej kohësh”.

“Një gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët, dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që e përsëris, bën atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst, e jo më se çka duhet të ketë teksti”, ka thënë Rama.