May 3, 2024
Kolumna

Arsimi, reforma, digjitalizimi dhe realiteti

Shkruan: Xheladin Murati

Do të ishte e gabuar që reforma e paralajmëruar për arsimin fillor dhe kundërshtimet e saj midis Carovskës dhe protestuesve e referendumxhive, të cilësoheshin si një kërkesë e pakuptimtë. Reforma dhe ndryshime ka pasur edhe përpara dhe ndryshime madje gjithnjë të njëpasnjëshme dhe nevoja e interesi për reformimin e arsimit do të vazhdoj edhe më tej, mbase interesi për bashkëkohësim nuk humb.
1.Premisat
1.Arsimi nuk është një koncept abstrakt dhe ndoshta ideal.
2.Ndërtimi i arsimit kërkon angazhimin e një numër të madh aktorësh profesional dhe ekspert të fushave.
3.Nuk bëhet reformë arsimore vetëm përmes mobilizimit të mbështetjes politike.
5.Nuk guxon të eksperimentohet me nxënës.
2.Qasjet dhe aspektet
Shoqëria jonë po kalon një tranzicion drejt epokës digjitale me ndikime shumë të mëdha në fushën e arsimit e të mësimdhënies. Si duket pandemia shënon vetëm një pike kthese në drejtim të digjitalizimit të librit shkollor. Dhe nëse kjo ndodh, siç angazhohet ministrja e arsimit atëherë do të ndodhin turbulenca në efikasitetin, vlerat arsimore, funksionin dhe misionin e dijes e të ngjashme.
Nevoja për digjitalizim të arsimit e të librit shkollor do të ndodh por dikur më vonë mbase kërkon shumë kushte dhe insfrastrukturë shkollore. Kjo edhe për arsye të tjera. Sepse:
-Digjitalizimi i teksteve shkollore do ta ndryshon vetëdijen e nxënësve, shprehitë e punës dhe shkathtësitë intelektuale, do të ndryshon normat e sjelljes, mënyrën e komunikimit, të edukimit, të vlerësimit, të kontrollës.
– Digjitalizimi do ta ndryshon dinamikën e mësimdhënies dhe kahen e veprimit mësues-nxënës.
– Në aspektin shëndetësor, fizik, psikik, social dhe emocional digjitalizimi do të sjellë pasoja negative në zhvillimin biopsikosocial të nxënësit.
Kundërshtimet e reformës nuk janë konflikt interesi dhe as konflikt që çon në luftë. Ato janë kontradikta me argumente se kjo është çështje e shpejtuar dhe shoqëria jonë nuk është e përgatitur për këtë. Pozicioni i ministres është i thjeshtë: Reforma, thotë ajo, është punë e kryer.Ajo nuk e çanë kokën për këtë. Ajo, mendon se arsimi është fusha e saj dhe nga kjo nuk lëshon pe. Pozicioni i kundërshtarëve është i vështirë edhe pse e kanë përkrahjen e ekspertëve, prindërve, nxënësve, disa institucioneve mjaftë të rëndësishme. Por politika zyrtare është në krahun e Carovskës.
Ky kundërshtim nuk është situatë konflikti midis dy grupeve, asaj pro dhe asaj kundër reformës e digjitalizimit të teksteve shkollore. Kjo është një kontradiktë apo më mire të them një kërkesë dhe misioni i kësaj të fundit konkretizohet gjithmonë në alternativë për të normalizuar apo rishikuar segmente të reformës, të digjitalizimit që do të kishte rolin e një lëvizjeje dhe vetërregullimi të arsimit sipas kushteve.
Me kalimin e kohëskëto kundërshtime do të bëhen me komplekse dhe qëndrimi më i ashpër. Kundërshtarët e reformës argumentojnë se është herret për një ndryshim të propozuar siç janë digjitalizimi i teksteve shkollore sepse nuk janë krijuar kushte për realizimin e tij. Ndërkohë ministrja pretendon se nuk ka pasur kurrë një reformë arsimore. Argumentet e të dyja palëve nuk janë të destinuara për njëra-tjetrën. Derisa Carovska nuk merakoset për rolin dhe argumentet e kundërshtarëve dhe e ka mbështetjen e polikanëve, ajo pretendon se është ministrja e pare që kërkon të reformojë arsimin.
Në konstelacionin e faktorëve dhe fakteve është vështirë të përkrahish njërën pale apo tjetrën, kur nuk ndanë fatin e asnjërës prej tyre. Megjithatë nëse reforma arsimore është çështje pedagogjike dhe shoqërore, dhe çështjet pedagogjike e shoqërore konsiderohen si një veprim përcaktues, atëherë duket se nuk ka marrëveshje mes tyre dhe se kundërshtimet do të vazhdojnë edhe më tej.
Qëndrimet dhe kërkesat pedagogjike dhe shoqërore të cilat nuk përfshijnë marrjen për sipër të rrezikut dhe dështimit të reformës do të mbeten zhurmë e mëvonshme. Çështja pedagogjike është e thjeshtë por komplekse dhe kjo kërkon një trajtim serioz duke i vënë në peshojë anët pozitive, kushtet e rrethanat shoqërore, nivelin e zhvillimit teknologjik të shoqërisë, infrastrukturën shkollore, pajisjet e shkollave dhe nxënësve me aparate digjitale, sigurimi i rrjetit të internetit në pjesët e thella rurale e të ngjashme.
Por mbi të gjitha, ministrja duhet ta ketë parasysh dëmet që sjellë digjitalizimi për shëndetin e nxënësve. Çka do të thotë për shëndetin e nxënësit nëse ai rri 8 orë para ekranit të kompjuterit, çfarë efekte negative do të ketë për sytë e nxënësve, për zhvillimin e fjalorit të tyre, sa negativisht do të reflektohet në shëndetin mendor e fizik të nxënësve, sa do të reflektohet në aspektet sociale dhe emocionale të nxënësve, sa do ta bën individualizimin në llogari të socializimit, a nuk është gabim mbyllja e nxënësve në botën e vete dhe ndërprerja e raporteve sociale e të ngjashme.
Gjykoj se digjitalizimi i teksteve shkollore me infrastrukturën ekzistuese nuk do ta rritë përdorimin racional të tij, nuk do ta bëjë më efikas procesin e njohjes mësimore, nuk do ta rritë cilësinë e dijeve, harmonizimi i dinamikës së mësimdhënies do të jetë relativisht i ulët, përmirësimi dhe rritja e cilësisë nuk do të ndodhë e të ngjashme.
Funksionet e shumëfishta të njohjes mësimore siç janë ato gnoseologjike, aksiologjike, demijurgjike, komunikuese do të ulen. Pra menaxhimi me procesin e njohjes, dhënies së vlerave nuk do të jetë në nivelin e pritshmërive.
Digjitalizimi i teksteve shkollore besoj se do të ketë efekte financiare sepse shoqëria do të lirohet nga sigurimi i teksteve falas për nxënësit.
Këto kushte e krijojnë frikën e zakont tek kundështarët se shoqëria jonë nuk ka mundësi për zbatimin e reformës digjitale të librit. Ndërkaq ministrja Carovska me paraqitjet e saj kërkon braktisjen e frikës. Unë mendoj se frika është reale dhe duhet të merret parasysh para se me dështuar reforma. Është vështirë të mendosh për një reformë bashkëkohore që nuk krijohet në përputhje me kushtet që ekzistojnë.
3.Përfundim
Unë mendoj se kundërshtarët e reformës arsimore nuk janë bashkësi e imagjinuar, ata kanë arritur të kuptojnë ndryshimet dhe objektivat e reformës së përfolur, ata janë të gatshëm për të ndihmuar në ndërtimin e sistemit arsimor bashkëkohor.
Gjithashtu mendoj se retorika e minisitres së arsimit nuk do të jap rezultate të prekshme nëse qëndron në pozitat e saj.
Për të çuar përpara reformën arsimore, objektivat, qëllimin dhe konceptin nuk duhet të shmangen idetë ndryshe. Ato duhet të artikulohen, që reforma të quhet parimor dhe mos të ketë fajtorë pa faj.