Maqedoni

Komuna e Tetovës: Ata që kanë marrë fatura të larta nga “Saubermacher”, të ankohen

Pas ankesave të qytetarëve se faturat për shërbime komunale u kanë ardhur më shtrenjtë se sa paraprakisht, Komuna e Tetovës lëshoi ka reaguar duke demantuar se ka rritje të çmimit. Nga Komuna shtojnë se ata që nuk janë të kënaqur me lartësinë e faturës, mund të ankohen në ndërmarrje apo komunë, transmeton Portalb.mk.

“Pas ristrukturimit dhe dhënies me koncension të NPK “Tetova”-Tetovë, nga ky muaj për herë të parë lëshohen faturat e Ndërmarrjes së re “Saubermacher”.Në këto fatura janë të përfshira të gjitha shërbimet komunale, menaxhimi i mbeturinave komunale, mirëmbajtja e hapësirave publike dhe gjelbërimi, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi i ujërave atmosferik dhe ujërave të zeza. Gjithashtu ju njoftojmë se edhe përkundër faktit që është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes, nuk ka rritje të çmimit për njësi. Gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet te Tregu i Gjelbër në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj faturimin real”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ata gjithashtu informojnë që qytetarët të cilët nuk janë të kënaqur me përgjigjen e ndërmarrjes komunale, do të keni mundësi të drejtoheni edhe në zyrat e Komunës së Tetovës.

“Ne si komunë do të formojmë një komision të veçantë për të shqyrtuar çdo rast të paraqitur dhe do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interesin e qytetarit. Duke pasur parasysh situatën e rënduar financiare të NPK-së, e cila është akumuluar ndër vite, lusim qytetarët të bëjnë pagesën e rregullt të faturave për shërbimet komunale. Vetëm duke bashkëpunuar mund të kemi një ambient të pastër dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm!”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kujtojmë dhe se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.