Zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën serbe të Bosnjës janë fituar nga Sinisha Karan, aleati i ngushtë i Millorad Dodikut, “kartë” e cila nuk u fsheh për asnjë moment nga kandidati.
Madje gjatë tubimit përmbyllës të enjten, krah tij ishte edhe Dodik, i cili gjithësesi deklaroj se Bosnja është një “shtet i pamundur”, ndërsa përpjekjet për ndarjen e republikës Sërpska do të vazhdojnë.
Gara ka qenë e ngushtë mes tij dhe kandidatit të opozitës Branko Blanusha. Ky i fundit e mbështeti fushtën e tij në sulmin ndaj Dodik dhe akuzave për një qeverisje të korruptuar.
Gjithsesi Karan fitoj garën me 50.89% të votave, sipas rezultateve paraprake të shpallura para mesnatës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës, ndërsa kundërshtari i tij mori 47.81 përqind të votave.
Ai do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.
Aty qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 19:00, ndërsa rreth 35.7 për qind e mbi 1.2 milionë qytetarëve me të drejtë vote hodhën votën në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska, u panë si një provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila ka qenë në pushtet për gati dy dekada.
Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili është vëzhguesi ndërkombëtar që sigurohet për mbarëvajtjen e marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje, por largimi i tij “taktik” nga jeta politike erdhi edhe pas heqjes së non gratës së tij nga departamenti amerikan i Thesarit.

