Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e dekoroi kardiologun dhe alpinistin Sashko Kedev me Urdhrin “8 Shtatori” për meritat e tij të veçanta në mjekësi, jo vetëm në vend, por edhe në nivel evropian dhe botëror, si dhe për arritjen historike në alpinzëm si shtetasi i parë i Maqedonisë që ka ngjitur 14 majat botërore me mbi 8.000 metra lartësi mbidetare, përcjell TV21.
“E konsideroj ngjitjen e 14 majave më të larta në botë si një sukses kombëtar. Ajo që më dha forcë ishte pikërisht dëshira për ta çuar flamurin dhe emrin e Maqedonisë në të gjitha majat. Këtë sukses ia dedikoj të gjithë qytetarëve dhe të gjithë maqedonasve, kudo që janë në botë”, tha kardiologu dhe alpinisti Sashko Kedev.
Kedev shprehu mirënjohje të thellë për dekoratën, duke theksuar se, megjithëse përfshin shumë segmente të jetës së tij, ai e ndan atë me të gjithë kolegët me të cilët, para më shumë se 30 vitesh, e themeluan kardiologjinë intervenuese.
“Shtylla e jetës është të gjejmë një aktivitet që nuk ka një qëllim përfundimtar, por motivim të pastër pa synim konkret”, theksoi Kedev.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në ceremoninë e ndarjes së dekoratës sonte në Filharmoninë e Maqedonisë, deklaroi se akademiku Sashko Kedev është një personalitet, integriteti personal dhe shoqëror i të cilit e tejkalon kufirin e fushës së tij profesionale dhe është bërë pjesë e kujtesës kolektive të shtetit dhe shoqërisë.
“Të gjithë e njohim si autoritet të lartë mjekësor, një nga pionierët dhe liderët e zhvillimit të kardiologjisë intervenuese. Personaliteti i tij karakterizohet nga fisnikëria, integriteti moral dhe humanizmi… Biografia e akademikut Kedev është shembull i vlefshëm për secilin prej nesh, por edhe një udhëzues i mirë për gjeneratat e ardhshme. Ajo dëshmon se sukseset nuk janë privilegj dhe as rastësi, por pasojë logjike dhe shpërblim i merituar për përpjekjet e jashtëzakonshme të një njeriu me shkronjë të madhe”, u shpreh Siljanovska-Davkova.
Për gjithçka që ka bërë në fushën e mjekësisë, shkencës, sportit, për reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë, si dhe për demokracinë në Maqedoni, gjëja më e vogël që mund të bëjmë, tha Siljanovska-Davkova, është t’i japim mirënjohjen e merituar.
“Nuk mund të flasim për të pa e përmendur kontributin e tij aktiv dhe të dukshëm për demokracinë e Maqedonisë që nga ditët e para të pavarësisë e deri sot”, shtoi presidentja.
Në ndarjen e Urdhrit, që u mbajt sonte në Filharmoninë e Maqedonisë, morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministra të Qeverisë, kryetarë komunash, akademikë dhe shumë personalitete të jetës shoqërore.
Urdhri i jepet Kedevit edhe për kontributin e tij të guximshëm në themelimin e Republikës së pavarur të Maqedonisë dhe për pjesëmarrjen aktive në zhvillimin e demokracisë në vend, për meritat e jashtëzakonshme në mjekësi, të kurorëzuara me anëtarësim në shoqata prestigjioze ndërkombëtare shkencore, për reputacionin e lartë si kardiolog intervenues i cili ka futur teknika dhe metoda inovative, ka kryer mijëra ndërhyrje koronare dhe mbi 1.600 stentime karotide transradiale, për arritjet e jashtëzakonshme arsimore dhe shkencore, të dëshmuara me 230 publikime me faktor ndikimi në platformën “Web of Science”, me indeks H 36 dhe 13.650 citime, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar si konsull nderi i Indonezisë.

