Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se sezoni i gripit të këtij viti ka filluar tre deri në katër javë më herët se zakonisht, për shkak të shfaqjes së një varianti të ri të virusit.
Sipas ECDC-së, bëhet fjalë për një nënvariant të llojit H3N2, i cili po përhapet më shpejt dhe ka shkaktuar tashmë një rritje të numrit të rasteve në disa vende evropiane. Qendra thekson se ky variant i ri nuk është përfshirë në vaksinën e gripit të këtij viti, sepse përbërja e vaksinave u përcaktua në shkurt, kur varianti nuk ishte ende i pranishëm. Prandaj, numri i rasteve këtë sezon mund të jetë më i lartë se zakonisht, veçanërisht tek të moshuarit.
Mjekët vërejnë se ky është një grip me një ashpërsi të ngjashme me llojet e mëparshme, por efektiviteti më i ulët i vaksinës krijon një rrezik për infeksion më të madh në popullatë.

