Tetovë, komuna kthen pamjen e vjetër të rrugës
Pas një kohë të gjatë të betonizimit të Tetovës dhe zhdukjes së gjelbërimit nëpër qytet, Komuna do të bëjë diçka në drejtim të kthimit të autoktones në Tetovë. Fjala është për projektin e rrugës së quajtur “Rruga e Butiqeve”. Përmes fondeve IPA, do të investohen rreth 300.000 euro në kthimin e pamjes së vjetër të kësaj rruge, duke filluar nga kalldrëmet e deri tek stolat dhe abazhurët e vjetër.
“Është një projekt i fituar në bashkëpunim ndërkombëtar me Komunën e Prizrenit, që është fituar nga komisioni Evropian, pra 220.000 euro nga Fondet IPA dhe 28.000 euro nga buxheti i komunës së Tetovës. Punët ndërtimore do nisin në mes të shkurtit dhe në fund të majit pritet të përfundojnë. Këtu do kthehet identiteti kulturor dhe tradicional me çka do bëhet ngjallja e artizanateve dhe do zhvillohet turizmi. Rruga prej 420 metra do ndërtohet me kalldrëma, do vendosen pajisje urbane ndriçim publik dhe regjim i ri i komunikacionit, me qëllim që gjërat artizanale sa më lehtë ti ekspozojnë”, tha Besar Durmishi ,kryetar i këshillit komunal.
Profesori i artit Miftar Memeti kërkon që të bëhet kujdes në ruajtjen e asaj që është autoktone. Memeti po ashtu ka përmendur edhe rëndësinë e ruajtjes së urave të vjetra mbi lumin Shkumbin, të cilat janë ndër simbolet më të vlefshme të këtij qyteti.
“Nëse i mungon diçka që ka pasur dikur Tetova janë urat që u prishën, siç është ajo e Xhamisë së Larme, ajo tek shkolla e mesme e mjekësisë, dhe e vetmja që ruhet është ura te spitali. Tetova së pari ka nevojë për rrugë njëkahëshe. Para dy ditësh kalova nga rruga e butiqeve nga qendra deri tek çarshia e epërme, sepse dikur e frekuentoja shumë. Por ajo rrugë kishte ndryshua tërësisht, dyqanet e vjetra janë modernizu. Do ishte mirë që ajo rrugë, pjesa qendrore të bëhet me kalldrëma e abazhurë por jo të thjeshta, por kalldrëma si duhet e mjeshtërve e që e kishin atë vijën e ujit në mes, kështu nëse bëhet nga shteti komuna apo investitorët e jashtëm kjo do ishte përshëndetur që sa do ku do ta kemi Tetovën e dikurshme”, u shpreh Prof. Miftar Memeti.
Projekti do të filloj të realizohet brenda një muaji, ndërsa përfundimi i tij pritet të jetë në verën e këtij viti. Kjo është vetëm faza e parë e projektit, e cila përfshinë instalacionet urbane dhe kthimin e kalldrëmeve në rrugën e butiqeve, ndërsa faza e dytë e këtij projekti, pritet të bëhet në bashkëpunim me pronarët e dyqaneve, për të kthyer edhe pamjen e objekteve të vjetra në atë të dikurshme.