May 18, 2024
Kosovë

Krerët shtetërorë në Kosovë bën homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 18-vjetorin e vdekjes së tij

Sot, 18 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë dhe personalitete të tjera ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 18-vjetorin e vdekjes së tij.
Sipas presidentes, Vjosa Osmani, Rugova është ati themeltar dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë. Njeriun që ia kushtoj çdo ditë të jetës së tij, lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punojë në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës dhe në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtet pas shumë e shumë sakrificash të popullit tonë”, u shpreh Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e kujtojnë Rugovën për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

“Sot në 18 vjetorin e tij nga jeta, e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Si shkrimtar shqiptar dhe kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore”, tha Albin Kurti, kryeministër.

Gjithashtu, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pasi ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka shkruar se “Trashëgimia e Presidentit Rugova – ajo e një lideri që avokoi për rezistencë paqësore duke kërkuar të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët – është një frymëzim këtu në Kosovë dhe në mbarë botën”, ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar edhe familjen Rugova me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët i ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.