BDI kërkon “kurban” prej LSDM-së për M NAV-in
Hipokrizia e Frontit Evropian dhe agjendës së gjelbër të kësaj qeverie shihet më së miri në M-NAV. Zyrtarët e SDS-së dhe BDI-së punësuan të afërm, motra, nuse, djem, xhaxhallarë, kushërinj, nipa në navigacionin maqedonas për paga të majme prej disa mijëra eurosh. Kjo është fytyra e koalicionit të banditizmit, reagon sërish edhe sot VMRO-DPMNE.
“Dimitar Kovaçevski thotë se nuk ka qenë zëdhënës i ministrave të tij, të cilët e kanë mbushur M-NAV-në me punësime nepotike dhe e vërteta është se Ali Ahmeti i ka sugjeruar që të mos bëjë shumë zhurmë, sepse në të kundërtën nuk do të futet në lista të përbashkëta, ose nuk do të mbështesë një kandidat të përbashkët për president.
Mesazhi i dërguar nga Reçica e Vogël është që të mos thotë asgjë as për strehimin e familjarëve të ministrave të BDI-së, e aq më pak për rrahjen në kullën e kontrollit nga grupi i lidhur ngushtë me BDI-në, që e mbylli trafikun ajror. Maqedonia në rrezik. E vetmja gjë që ia lejojnë Kovaçevskit është që një ministër i tij (lexo Nikolovski) të kalojë si kurban për paqen e koalicionit”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj partie, tani për të dalë nga skandali në të cilin u gjendën do të fajësojnë njëri-tjetrin, “do të defokusohen, do të debatojnë e çfarë jo”.
“Por çdo gjë tashmë është e qartë për njerëzit, nuk ka qenë kurrë më keq, dhe është e rëndësishme të mposhtet ky banditizëm!”, thonë nga VMRO DPMNE.