Nga: Etem Xheladini

Një pensionist nga Zvicra jep mësimin më të fortë për pastërtinë dhe përgjegjësinë qytetare.
Shembulli i Haxhi Jusufit, i cili erdhi për pushime nga Zvicra dhe brenda dy ditësh e pastroi të gjithë shetitoren te pishat në fshatin Allashec, duhet t’ua zgjojë ndërgjegjen të gjithë qytetarëve që e duan vendlindjen. Në një kohë kur shumëkush pret që institucionet të bëjnë gjithçka, ky veprim i thjeshtë por domethënës tregon se ndryshimi fillon nga individi. Shetitorja në fjalë shfrytëzohet nga banorët e komunës së Likovës, Kumanovës, por edhe nga vizitorë të zonave më të largëta shqiptare.
Ajo u bë e njohur falë investimeve të Komunës së Likovës dhe kryetarit Erkan Arifi, të cilët para pesë, gjashtë viteve më parë e rregulluan, e pastruan dhe ndërtuan rrugica të begatonizuara për shëtitje.
Më tej u vendosën ulëse dhe konteinerë për mbeturinat, me synim krijimin e kushteve të denja për rekreacion.
Megjithatë, pavarësisht këtyre investimeve, vetëdija e ulët e disa individëve dhe familjeve ka bërë që kjo zonë të marrë shpesh pamje të zymtë. Pikërisht kjo gjendje ka prekur shpirtin e pastër të Haxhi Jusufit, i cili nuk mundi të qëndronte indiferent dhe vendosi ta pastrojë vetë, me duart e tij, për vetëm dy ditë.
Ky veprim nuk është i zakonshëm, ai është një thirrje e qartë për reflektim. Sot, shembulli i tij duhet të shërbejë si mësim për institucionet arsimore, sektorin civil, institucionet fetare, shoqatat e pensionistëve dhe për secilin prej nesh. Është koha të organizohemi e të kujdesemi për pastërtinë jo vetëm të vendeve rekreative, por edhe të mjedisit ku jetojmë. Respekt i veçantë për Haxhi Jusufin me ndërgjegje zvicerane.
Ai është shembull konkret se kur kthehen në vendlindje pensionistë të sinqertë, të ndershëm e humanë, e gjithë Maqedonia mund të ecë përpara. Ndryshimet nuk janë të pamundura; përkundrazi, ato mund të ndodhin shpejt kur ekziston vullneti i mirë. Sepse vetëm me punë, përgjegjësi dhe sinqeritet mund të arrihen standardet e shteteve europiane, ashtu siç i ka arritur Zvicra.
Shtrohet pyetja: Po të kishim politikanë, deputetë, ministra, drejtorë e intelektualë me mentalitet dhe ndërgjegje si në Zvicër, a nuk do të mund të bëhej edhe vendi ynë si Zvicra? Besoj se po.
Sepse për pak kohë mund të arrihet shumë, kur të gjithë punojmë me ndershmëri dhe me zemër.
Respekt për këtë pensionist nga Zvicra. Shembulli i tij është rruga që duhet ta ndjekim të gjithë, duke filluar nga vetja.

sqShqip