Me mesazhe të fuqishme të mbushura me dhimbje dhe revoltë, mijëra qytetarë marshuan sot në Shkup në “Marshin për engjëjt”, të organizuar në nder të fëmijëve dhe të rinjve që humbën jetën në tragjedinë e Koçanit. Saktësisht në orën 12:05, kolona u nis nga sheshi “Maqedonia” drejt Kuvendit, ndërsa përmbyllja e marshit do të bëhet para Gjykatës Themelore Penale – aty ku, më 19 nëntor, pritet të nisë procesi gjyqësor për rastin “Pulse”.
Prindërit, jeta e të cilëve është ndryshuar përgjithmonë, iu drejtuan qytetarëve me një thirrje të thellë emocionale:
“Na duhen njerëz që mund ta ndiejnë dhimbjen tonë. Nëse jeni me ne, tregoni njerëzi. Njerëzia është e trashëguar – nuk lind, as nuk mësohet. Ju lutemi, qëndroni me ne deri në fund. Le ta çojmë drejtësinë deri në fund së bashku.”
Mesazhet e mbajtura në duar nga pjesëmarrësit ishin:
“Fëmija im u vra nga një sistem që nuk mbron, por vret”,
“Sa jetë fëmijësh duhet të humbin që ju të zgjoheni?”,
“Ne humbëm, ju ende keni për çfarë të luftoni”.
Ky marshim në Shkup është organizuar nga iniciativat qytetare “Kush është i radhës!” dhe “16 Marsi 2025”, pasi për javë të tëra prindërit mbajtën protesta në Koçan. Ata thonë se nuk kërkojnë mëshirë, por të vërtetën, përgjegjësi dhe drejtësi – për ta, për viktimat dhe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve.
Prindërit, në apelin e tyre, përsëritën se nuk do të ndalen derisa të zbardhet plotësisht përgjegjësia për tragjedinë. “Dhimbja është e jona, por beteja është për të gjithë ju”, thanë ata.
Ndërkohë, institucionet po përgatiten për fillimin e gjykimit. Gjykata Penale, Prokuroria dhe Dhoma e Avokatëve kanë paralajmëruar masa shtesë për të siguruar një proces të qetë dhe profesional.
Në rastin “Pulse”, ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 u plagosën, janë të akuzuar 34 persona fizikë dhe 3 persona juridikë për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Procesin gjyqësor do ta udhëheqë një ekip prej rreth 15 prokurorësh, njoftoi Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski.

