Zjarr në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë: Vdes një pacient
Një pacient i Klinikës së Psikiatrisë ka vdekur si pasojë e një zjarri që ka ndodhur në një nga dhomat e kësaj klinike pas mesnatës.
Lajmin e ka bërë të ditur gazeta Shneta duke sjellur edhe pamje nga vendi i ngjarjes.
Gazeta ka mësuar se pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë. Ai kishte dal nga klinika në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.
Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë.
Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri. Dyshimet e para janë se pacienti mund të ketë pasur shkrepsë me vete.
Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë Gazetës Shneta se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.
Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.