Gjermania është “bordello e Evropës”, ​​tha Presidentja e Bundestagut Julia Kloeckner (CDU) dhe bëri thirrje për ndalimin e prostitucionit dhe blerjes së seksit, duke ndjekur shembullin e Suedisë dhe Norvegjisë.

“Kur flasim për të drejtat e grave, por njëkohësisht themi se prostitucioni është një profesion si çdo tjetër, kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe një akt zhvlerësimi ndaj grave,” tha znj. Klöckner gjatë fjalës së saj të martën në mbrëmje, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Heroinat” të Fondacionit Alice Schwarzer.
Çmimet iu dhanë Sabine Konstable dhe Kathrin Sauer-Kelpin, aktiviste nga organizata Karo, e cila ndihmon gratë të largohen nga prostitucioni dhe zhvillon fushata kundër shitjes së detyruar të grave, trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
“Jam absolutisht e bindur se duhet të ndalojmë përfundimisht prostitucionin dhe blerjen e shërbimeve seksuale në këtë vend,” tha presidentja e Bundestagut, duke theksuar se legjislacioni aktual nuk i mbron mjaftueshëm gratë e përfshira në prostitucion.
“Sulmet e dhunshme, pushteti dërrmues i burrave dhe mungesa e pëlqimit vazhdojnë. Gjermania është bordelloja e Evropës,” deklaroi znj. Klöckner, duke bërë thirrje për një sistem të ngjashëm me atë të Suedisë dhe Norvegjisë, ku klientët ndëshkohen dhe bordelot mbyllen. Në këto vende, blerja e shërbimeve seksuale është e paligjshme, ndërsa gratë që prostituohen nuk ndiqen penalisht por marrin mbështetje për t’u larguar nga industria e seksit dhe për të ndërtuar një jetë të re./tch

sqShqip