Ish ushtari i UÇK-së i lënë në mëshirë të fatit: Dhamë gjithçka, tani mezi mbijetojmë
Flamuri që e mban në ballë të shtëpisë thotë se i jep lavdinë. Por, vetëm kjo i ka mbet, veteranit të UÇK-së Nusret Bekteshi, i cili në betejën e Haraçinës, në vitin 2001, mezi mbeti i gjallë dhe tani jeton me 80% invaliditet. 45 vjeçari thotë se sakrifikoi për një jetë më të mirë të të gjithëve, por që tani ndihet i lënë pas dore nga të gjithë. Pagën që merr nga puna, të cilën e bënë në këtë gjendje shëndetësore mezi e përthekon muajin, madje thotë se askush nga bashkëpartiakët e tij të BDI-së, nuk i hap derën për t’i punësuar vajzat e tij që kanë kryer fakultete, të cilat sado pak do t’ia ngjisnin dorën babait për tu bërë “idare” në shtëpinë e tyre.
“Ne kemi bërë shumë për atdhe, kemi shkuar të lëmë jetën! Unë kam lënë gjymtyrët e trupit, kam derdh gjak dhe sërish e bëj sepse e ndiej obligim ndaj kombit tim! Vetëm se qeveritarët dhe partia jonë që kemi përkrahur deri më tani ndaj neve nuk ka pasur kurrfarë interesi. Lajmëroj çdo telefonatë nëpër ministri e drejtori që udhëheqin tanët, por nuk kanë ndërmarrë asnjë obligim”, deklaroi Nusret Bekteshi, Veteran i UÇK-së.
Kjo familje 5 anëtarëshe në Lagjen Vizbeg të Shkupit, sikurse çdo familje tjetër me të ardhura minimale në vend, nuk e mban dot mllefin pas keqpërdorimit të mundit të tyre nga funksionarët e shtetit kësaj radhe me rritjen marramendëse të pagave për udhëheqësve dhe të emëruarave më të lartë publik.
“Kjo nuk është fer se ata për vete po dinë ti rrisin pagat mujore, të cilat veçse i kanë pasur nga 1.500 euro dhe nuk po ju mjaftojnë. Përveç funksionarëve, gratë e tyre i marrin nga 1 mijë euro të tjera, po aq edhe fëmijët e tyre që marrin së paku nga 4-5 mijë euro në muaj dhe s’po ju dalin. E si të mbijetoj unë me 400 euro? Kjo nuk është e drejtë, ky është diskriminim, shkelje, turp i madh ndaj një luftëtari dhe invalidi apo ndaj një familje të dëshmorit. Se ne në luftë nuk shkuam të pasurohemi, por për ideal. Nuk kam dal të kërkoj lëmoshë apo të afirmohem, por dua t’iu tregoj atyre që të kenë parasysh edhe të tjerët që janë afër Ali Ahmetit”, u shpreh Nusret Bekteshi, Veteran i UÇK-së.
Nusreti thotë se nuk merr asnjë të ardhur për invaliditetin e tij, as bashkëshortja e tij nuk merr ndihmë sociale nga shteti për kujdesin ndaj tij. Sikurse ky dhe të gjithë veteranët e luftës prej dekadash kishin kërkuar zgjidhje të statusit të tyre me një ligj të veçantë, siç ishte rasti me branitellat. Megjithatë partia shqiptare në pushtet hoqi dorë nga nisma për një ligj të tillë, me arsyetimin se ish pjesëtarët e UÇK-së ishin punësuar dhe ishin bërë pjesë e institucioneve, dhe me këtë ishte zgjidhur çështja e tyre. /Alsat.mk