Kryeministri slloven: Maqedonia e Veriur ka mundësi historike të bëhet pjesë e BE
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe homologu i tij slloven Robert Gollob në Lublanë nënshkruan deklaratë të përbashkët për përforcim të bashkëpunimit mes të dyja vendeve. Sipas Kovaçevskit të dyja vendet kanë konstatuar nevojën për përforcimin e stabilitetit rajonal, në veçanti në kontekstin aktual gjeopolitik kur duhet të ruhet paqja dhe siguria në Evropë. RMV do të hapërojë drejt rrugës evropiane, shtoi Kovaçevski edhe pse disa fuqi të jashtme dhe të brendshme nuk e dëshirojnë këtë, ndërsa përkrahja e Sllovenisë sipas tij është konkrete dhe praktike.
“Përkrahja e Sllovenisë për rrugëtimin e RMV-së drejt BE-së nuk është vetëm politike dhe deklarative, por konkrete dhe praktike duke potencuar rëndësinë e përkrahjes teknike sllovene për përforcimin e kapaciteteve administrative të shtetit në sferën e eurointegrimeve, veçanërisht në pjesën e harmonizimit të legjislacionit të RMV-së me legjislacionin e BE-së dhe implementimin e tij. Sllovenia ka dhënë 40 milion euro për implementimin e reformave eurointegruese, por edhe për zhvillimin e vendit tonë.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Gollob për ndryshimet kushtetuese në RMV, shpreson se do të votohen deri në nëntor
Sllovenia dëshiron t’i ndihmojë RMV-së në të gjitha format e mundshme, theksoi Gollob, duke potencuar se përafrimi i vendit drejt BE-së nuk guxon të ndërpritet. Ai shpreson se te partitë politike do të mbizotërojë arsyeja dhe se ndryshimet kushtetuese do të votohen deri në muajin nëntor.
“Pres se do të mbizotërojë arsyeja te të gjitha subjektet politike në RMV, sepse kjo çështje nuk ka karakter partiak, por bëhet fjalë për mundësi historike e cila ka të bëjë me të ardhmen. Pres që deri në nëntor të plotësohen të gjitha kushtet dhe në dhjetor do të konstatohet se RMV do të mund t’i vazhdojë negociatat me BE-në”, – theksoi kryeministri i Sllovenisë, Robert Gollob.
Kovaçevski komentoi edhe zgjedhjet në Bullgari dhe potencoi se RMV si shtet fqinj dëshiron që Bullgaria të zgjedh qeveri, e cila do të jetë e orientuar drejt përkrahjes së parimeve të BE së, respektimit të të gjithë fqinjëve dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendin tonë, por edhe me fqinjët tjerë.