May 3, 2024
Maqedoni

Disa mendime të inspiruara nga libri “Welcome to Paris” i shkrimtarit Skender Sherifi

Nga: DAIM ILAZI

Skender Sherifi, poet, shkrimtar dhe intelektual polivalent

Libri “Welcome to Paris” i autorit Skender Sherifi edhe pse është voluminoz, lexohet me një fymë dhe të egzalton. Këtë libër Skenderi ma dhuroi në Tetovë. Unë e ftova si Kryetar i Shoqatës së shkrimatrëve OENEUM Tetovë, të bëjmë portretin poetik dhe promovimin e veprave të Skender Sherifit. Bienvenu à Tetovë mon ami ! Mirë se na vjen në Tetovë. Kjo ishte hera e parë që vizitoi Tetovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ne shqiptarët siç duket jemi mesuar t’iu bëjmë homazhe, nderime, figurave markante ose personave amblematik kombëtarë, pas vdekjes së tyre. Por te Skenderi ndodhi e kundërta … E perkujtuam sa është gjalle dhe shëndosh. I lutemi Zotit që edhe shumë vite ti shkelish këto Troje me shëndet të plotë ! Të kam shok, mik te vjetër që nga koha kur isha si Ambasador i Maqedonisë, në Ambasadën tonë në Bruksel. Shpesh takoheshim, tek ajo kafeteria afër Bazilikut, pinim kafe dhe lexonim poezi. Më pyesje shpeshherë, po si është Tetova, o Burrë ? Kurrë se kam parë, si duket Universiteti i Tetovës, studentët a kanë kushte të mira për studim aty?

Ja pas disa dekadave, tu plotesue dëshira, ta shofish ti vet me sytë e tu Tetovën bujare dhe të përvuajtur, të bëjme promovimin e veprës tënde letrare në UT. Përherë ke qenë i qetë, por shpirt uragani. Ti nuk je një patriot lokal apo provincial. Ishe dje dhe je prapë sot Ambasadori i madh i kombit, që na ka afirmue kulturen, traditen, kombin në menyrë dinjitoze në qarqet elitare evropjane. Me këto fjalë, e prezantova Skenderin para publikut akademik tetovar. I kam lexuar disa libra të Skender Sherifit, me pasion dhe kurajo. Vargje superlative, poezi që lexohen me një frymë. Ai ma dhuroi librin e tij « Welcome to Paris » – Mirë se vini në Paris ! Libër voluminoz me mbi 600 faqe. Këtë libër e përjetova si festë solemne, si grishje për ta vizituar Parisin, për ta shijuar këtë qytet të dritave dhe kultures evropjane dhe botërore. Sepse, edhe unë e njof Parisin, ngaqë aty kalova dhe punova 5 vite, si diplomat i lartë, në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut.

Skenderi, djalë malsorë nga Valbona e Tropojës, post modernist, e post gjithçka para çdokujt, kozmopolit i lindur, në këtë libër në mënyrë brilante na e zbulon Parisin e bukur përmes nje dialogu specifik me 30 personalitete të spikatura të artit dhe të kultures franceze dhe botërore, si psh, me Irena Papas, Jean-Luc Godard, Leo Ferré, Pierre Seghers, Philippe Léotard, Klaus Kinski, Louis Aragon, etjerë. Skender Sherifi, një puro shqiptar, i cili ka shkuar si femijë 1 vjeçar në Bruksel, kurse sot, e flet dhe shkruan në gjuhën shqipe më mirë se shumë DR. PROF. Mr. dhe alamet profesora albanolog. Ai e nis dialogun në formë poetike me Irena Papas, artiste me famë botërore, që ka luajtur edhe rolin kryesorë të Penelopës në Odisenë e Homerit, me kolosin tonë Kosovarë, zotin Bekim Fehmiun. E nisë shkrimin me një fisnikeri duke iu drejtuar kështu… « E dashura Irenë », me atë bukuri klasike të veçantë, dinjitetin e malsorëve të ardhur nga Alpet shqiptare, dhe i shprehet asaj aktorje ikonike me një frymëzim madhorë plot magji. E afron, e fton në familjën tonë, krejt natyrshëm, ti poeti frankofon evropjan, por edhe malësori i odave antike- në versionin origjinal, apo atë të Mërgatës së Qyqeve. Dhe i thua spontanisht : « të imagjinoj, o Irenë duke ndarë një pite apo një flijë në Kukës apo Tetovë duke ndëgjuar këngë kreshnike me çifteli e sharki.

Poeti, shkrimtari Sherifi, me një vrojtim, e soditje të thellë, i kap imazhet karakterisitke të jetës, në metropolet e ndryshme të Evropës : Paris, Bruksel, Londër, etjera … për ti ballafaquar ato sensacione intime, me imazhet e zymta dhe botëkuptimet tona ballkanike, çka provokon tek lexuesi, kontraste ironike dhe burleske të papara. Duke lexuar librin, gjeta veten time aty, duke ecur rrugëve të Parisit, duke kuvenduar me gjithë këto personazhe prestigjioze të shekullit, nëpër rrugë, parqe dhe kafe parisiane, buzë Senës, afër Sorbonës, përballë Muzeut të Luvrit, e duke u treguar për plagët e mia, që ende kullojnë gjak, ngaqë shpeshherë nuk mi kuptonin të huajit vuajtjet e mia jetësore, apo ato të kombit tim.
Në librin poetik, humoristik dhe popullor: “ Welcome to Paris ”, është fantastike mënyra me të cilën, na merr autori për dore, si të ishin gjithë lexuesit miqët, e tij intim, dhe i fton në një udhëtim hipnotik, artistik, kulturorë dhe njerëzorë në Parisin e tij shpirtërorë, i cili nuk ka asnjë lloj lidhje me atë të broshurave turistike tradicionale. Pastaj, na flet në vesh, si një Babëgjysh i sprovuar, na pasuron me dituri dhe referenca kulturore, na i shpalosë të gjitha rrymat dhe ngjarjet artistike të kryeqytetit të famshëm francez, duke na i shpjeguar me një gjuhë tepër të qartë dhe sa më konkrete.

Dhe tani neve duke qenë të magjepsur, dëshirojmë natyrisht që ky udhëtim me Sherifin, kauboj i Valbonës, aventurist iliro-frankofon të mos përfundojnë kurrë ! Aty qëndron për mua mjeshtëria e madhe e librit, sesi autori na bën direkt për vete, na bind dhe na tërheq dhe na pasuron me një kulturë gjigante, duke na e ofruar me shumë lezet dhe humor ?
Gjatë asaj shëtitje multidimensionale, do të gjejmë gjithçka dhe të kundërtën e saj, një llojllojshmëri profilesh nga më të çuditshmet, në një sfiladë multikolore personazhesh eminente në kohëra të ndyshme… dhe autori na i përshkruan, jo vetëm si erudit universitarë përmes CV-së së tyre impresionante, por edhe në aspektin puro privat, me veset dhe devijimet e tyre, ashtu siç kanë qenë në jetë ! Duhet evidentuar në ketë galeri portretesh, poetin, botuesin eminent francez Pierre Segers, të cilin siç thotë vet Skënder Sherifi, e ka pasur si babë inspirues, pra një Njeri, i cili ka luajtur një rol super të rëndësishëm në formimin kulturor dhe në kontaktet me ato personalitete të larta franceze.

“Shiko djalë, do ti menaxhoj unë të gjitha takimet fillestare në Paris, me shoqërinë time elitare, por mos harron që janë personalitete me shumë rëndësi, që kanë lënë gjurma të forta në fushat e tyre dhe disa e kanë themeluar edhe artin apo kulturën e Shekullit 20-të. Prandaj, unë dëshiroj që të shkosh para tyre sa më i përgatitur, sepse je duke i takuar miqët e mi, dhe në këtë rast luan edhe me reputacionin tim. Mos harron që je tek unë, i adoptuar si djalë simbolik, ngaqë, unë të admiroj si poet, dhe tani kur të prezantoj tek miqët e mi, që janë kolosë të artit dhe të inteligjencës franceze, nuk dëshiroj që të dështojsh dhe të më korritësh edhe mua paralelisht … a më kupton ? Mbaje mend, se tre herë po dështove dhe po më folen negativisht për ty miqët e mi, do detyrohem me të përjashtuar nga shtëpia ime. Kjo do të thotë qartë, se ti nuk je për Parisin.

Një sfidë dhe një shkollë e madhe për poetin tonë!

Mbaroj koha e hajgareve, ajo e amatorizmit, e aproksimacionit dhe e sharlatanizmit albanez … Këtu je para gjenive të Francës … ose e kalon klasën para tyre me sukses dhe i sheh përsëri, ose dështon dhe mbaroj puna e jote … “ mirë se rikthehesh i koritur tek shtëpia e jote në Bruksel!”
Pra, Skenderi, nuk dështoi në Paris, në të gjitha kontaktet me ato 30 personalitete, dhe aty është pikërisht madhështia e tij. Po si, dhe qysh rezistoj me dinjitet dhe ua përfitoj miqësinë dhe respektin ? Po pra, ai si malsor i Tropojës, një puro shqiptar, i cili arriti t’iu tregoi me sjelljen e tij, erudicionin, kulturën e tij, që edhe pse është me një identitet të rrënjosur dhe një personalitet të veçantë, një Ufo shqiptare, mund të jetë pa asnjë problem edhe një puro parizien. Pra, nuk e kishte kompleksin e shqiptarit mediokër, i cili duke e denigruar veten, shitet para çdo të huaj, por u tregua njësoj si Faik Konica, i cili kishte raporte të nivelit të lartë intelektual me poetin e madh zotin Guillaume Apollinaire. Bile Sherifi i paralajmëron burrënisht : “ shikoni o Miq francez, nuk do jam majmuni as klouni, as kloni i juaj, të jetë krejt e qartë … nuk kam ardhur këtu me kopjuar apo fotokopjuar modele të imponuara, por për ta eksperimentuar lirinë franceze, për t’u pasuruar në maksimumin e mundshëm me juve, me Parisin, por duke qenë së pari 100 përqind vetvetja. Përpos asaj, ju dua, ju respektoj dhe ju admiroj të gjithëve, siç e meritoni, pa asnjë lloj diktutimi. Por unë jam unë dhe mbaroj muhabeti me kaq ! “ Nga një djallosh 20 -25 vjeçarë, është diçka shembullore !

Shumë mresëlënëse është takimi me poetin e madh Louis Aragon, por i cili ishte komplet nën ndikimin e komunizmit dhe verbërisht i dashuruar në ideoligjinë debile të Stalinit. Në formë dramatike Skenderi e përshkruan këtë takim me Aragonin.
U takova me Aragonin në ‘1976 në Paris. Bile dola pas atij takimi mjaft i tronditur dhe i nervozuar, gati për të qajtur, sepse mendoja babain tim shpirtëror Pierre Seghersin, i cili ma kishte rregulluar atë takim duke më dhënë disa këshilla. Dhe sapo u ktheva dhe hyra tek apartamenti i Seghersit, bulevard Raspail në nr. 224 – Parisi 14 – më pa me çehre të rënduar, pa humor, i mbyllur dhe më tha: “ ti djalë, po e shoh që nuk je mirë … si të ka shkuar biseda me Aragonin?” Ju përgjigja: “ super keq, Pierre, të kërkoj ndjesë, kam dështuar sepse, më futi ai vet në politikë dhe më dënoj mua dhe babain tim zogist, me një ideologji djathtiste, pa ndonjë arsye logjike, gati për qejfin e tij, në një mënyrë aq ekstreme dhe arbitrare, saqë nuk mujta me qëndruar indiferent pa ju përgjigjur, duke ja paraqitur këto kundër argumente, për ta vendosur para paradokseve, hipokrizisë dhe përgjegjësisë së tij morale.

Tani, mundesh për të menduar çka të duash mbi mua!” Për fat, Pierre Seghersi, u treguar burrë i vërtetë dhe më tha: “Bravo të qoftë, ti djalë, se ke nderuar veten dhe familjen tënde, por edhe mua këtu në Paris. Po, e kam ditur që je një personalitet i lindur dhe që nuk e toleron askënd, me të shkelur në sedër dhe në dinjitet. Pra, duke vazhduar mund të shkruaj dhjetra faqe për bisesat dhe takimet interesante të Skender Sherifit, sidomos me antropologun Claude Lévy-Strauss, diçka unike dhe rrallë, sikurse me Léo Ferré, me aktorën gjeniale Annie Girardot, Pierre Klosowski dhe vëllai i tij Balthus, Allen Ginsbergun, poetin bitnik amerikan, me Philippe Léotard, Richard Bohringer, Léos Carax, Klaus Kinski, e të tjerë. Por më së miri, po e përfundoj me këtë porosi evidente: që lexuesi shqiptarë ta lexojnë vet këtë libër absolutisht fenomenal dhe të pasur: “ Welcome to Paris” dhe ta konfirmojnë, ta vërtetojnë vlerën e tij, mesazhet që na i jep dhe cilësinë e dialogut intelektual të një shqiptari, i ardhur nga një vend ballaknik, por që arriti të dialogon në një mënyrë krejt të lirë dhe të barabartë, pa asnjë lloj kompleksi, me plot dinjitet dhe autoritet, me gjenitë e Francës, dhe ta lidh një miqësi me personalitetet më të larta të ajkës së kulturës franceze dhe evropjane, duke i pasuruar të gjithë me sinqeritetin dhe lirinë e tij të paparë, me poezinë e tij të pa parashikueshme, por edhe me pjesën e tij autentikisht shqiptare, e trashëguar nga antikiteti dhe tradita e jonë gojore.

Libri është një leksion i shumëfishtë për çdo lexues shqiptarë, mbi kulturën e vërtetë evropiane, mbi vlerat artistike reale, e jo fiktive, mbi dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtarë, mbi mënyrën sesi prezantohemi neve si shqiptarë, kur jemi jashtë shtetit tonë, mbi artin e komunikimit me të tjerët, mbi tolerancën, paqën, argumentacionin, kufijtë intim të personit, deri ku mund të shkojmë pa u dëmtuar dhe dekredibilizuar si njeri ? Pos anës hedoniste, e ka libri një vlerë të madhe kulturore, informative, mbi gjithë çka ka ndodhur në Paris, në Francë dhe në Evropë gjatë shekullit 20, por edhe një vlerë të madhe kombëtare për ruajtjen e vlerave tona kudo që të jemi dhe një vlerë pedagogjike për brezat tonë të rinj, pak të çorientuar dhe të abonuar në virtualitet dhe teknologji të ndryshme, të cilëve ju mungon pikërisht gjithë ky bagazh universal mbi këtë kujtesë kolosale shqiptare e gdhendure në ADN.